Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosovën, të kryesuar nga shefi i këtij misioni, Jacques Miniane.
“Rreziku i paqëndrueshmërisë buxhetore, si pasojë e numrit të veteranëve të luftës, është ndër vërejtjet kryesore edhe në Raport të Progresit, prandaj Qeveria mbetet e përkushtuar që në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të gjejë zgjidhje për të tejkaluar situatën e krijuar me fryrje të listave”, thuhet në komunikatë.
Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi e Ramiz Kelmendi, si dhe ministrat Avdullah Hoti e Arban Abrashi, u bisedua për të arriturat në fushën e zhvillimit ekonomik, rezultatet e reformave fiskale, ambientin e të bërit biznes si dhe për stabilitetin buxhetor në vend.
Kryeministri Mustafa e njoftoi delegacionin e FMN-së për arritjet e Qeverisë së Kosovës, për projeksionet buxhetore dhe realizimin e tij të suksesshëm.
Me këtë rast, kryeministri Mustafa falënderoi për mbështetjen e deritashme duke theksuar përkushtimin për bashkëpunim të mëtejmë me FMN-në, si dhe vazhdimin e programit me këtë institucion të rëndësishëm financiar.