Site icon PrishtinaPress

Mustafa: S’ka gatishmëri për zbatim të marrëveshjes, Serbia destruktive, Kosova po jep vetëm zotime formale

Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Msutafa thotë se duket që as Kosova dhe as Serbia s’kanë gatishmëri për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit. Sipas Mustafës, Serbia po vazhdon me avazin e vjetër të destruktivitetit dhe Kosova në anën tjetër s’po bën asgjë përveç deklarimeve për zbatim të plotë të marrëveshjes. Njeriu që ka drejtuar LDK-në për disa vite shton se për momentin duket që vetëm ndërkombëtaret e kanë të qartë rrugën se kah duhet të shkojnë Kosova dhe Serbia.

Ndërkombëtarët po përpiqen ta ruajnë momentumin në procesin e negociatave Kosovë-Serbi pas marrëveshjes Kurti-Vuçiq në Bruksel dhe pajtimit në Ohër për Aneksin e Implementimit, por duket se nuk po u shkon gjithçka si duhet.

Asociacioni vazhdon të mbetet tema që ka bllokuar gjithçka, edhe përkundër kërkesave dhe presionit të madh ndërkombëtar drejt Kosovës për të zbatuar marrëveshjen.

Trajtim të veçantë të Asociacionit po kërkon edhe Serbia, gjë të cilën po e kundërshtojnë Kurti e Osmani, duke thënë se marrëveshja duhet të zbatohet e plotë, pa parakushte dhe pa e veçuar ndonjë pikë të saj.

Amerikanët, më saktë Këshilltari Special Derek Chollet gjatë një dëshmie në Senat konstatoi se asnjëra palë nuk është duke i zbatuar sa duhet ujditë.

Lidhur me këtë situatë të krijuar në procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi për Gazetën Express ka folur ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Ish-kreu i LDK-së i cili po ashti thotë se asnjëra palë s’ka gatishmëri për zbatim të marrëveshjes.

Mustafa thekson se Serbia vazhdon avazin e  vjetër destruktiv ku një herë pajtohet për marrëveshje dhe më pas kërkon marrëveshje për zbatimin e marrëveshjes, ndërkohë që për Kosovën thotë se s’po bën asgjë përtej zotimit formal për përmbushje të marrëveshjes.

“Nuk shihet gatishmëri e asnjërës palë për të implementuar marrëveshjen e përmbyllur në Ohër. Serbia si zakonisht, njëherë pajtohet pastaj kërkon marrëveshje tjetër për zbatim të marrëveshjes, bllokon me sjellje destruktive. Krerët e Kosovës po shprehin përkushtim formal për përmbushje të plotë të marrëveshjes, por jashtë këtij përbetimi nuk po lëvizin. Në esencë nuk ka gatishmëri nga palët”, ka thënë Isa Mustafa në një përgjigje me shkrim për Express.

Duke e parë një situatë të tillë, Mustafa thotë se krijohet përceptimi se as Kosova dhe as Serbia nuk e kanë të qartë se për çfarë janë marrë vesh dhe se ndërkombëtarët duket që janë të vetmit që e kanë të qartë rrugën përpara se si duhet të ecin palët.

“Fitohet përshtypja se asnjëra  palë, as Kosova dhe as Serbia nuk e kanë të qartë se për çfarë janë marrë vesh. Si duket momentalisht vetëm diplomatët dhe ndërkombëtarët  e kanë të qartë sesi duhet të lëvizin palët”, ka thënë Isa Mustafa për Gazetën Express.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në Bruksel dhe më pas janë pajtuar edhe për Aneksin e Implementimit në takimin e Ohrit më 18 mars 2023. Në këtë marrëveshje është përfshirë çështja e personave të zhdukur, vetëmenaxhimi për komunat serbe dhe zbatimi i marrëveshjeve të kaluara në kuadër të dialogut të Brukselit, ku përfshihet Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe./GazetaExpress/

Exit mobile version