Site icon PrishtinaPress

Mustafa: Sjellje e papranueshme e Serbisë në rastin “Haradinaj”

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka dekalruar se shtyrja e sërishme e vendimit për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është dëshmi e keqpërdorimit të drejtësisë nga Serbia, e cila në emër të informatave shtesë, po zvarrit një proces të ndërtuar mbi akuza të fabrikuara, përmes rrugëve të paligjshme dhe me synime degraduese për tërë popullin e Kosovës.

Mustafa ka shkruar në Facebook se përmes këtyre lojërave të ulëta, për përfitime të brendshme politike, Serbia, duke keqpërdorur drejtësinë, po përpiqet të dëmtoj po ashtu imazhin dhe personalitetin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, të qytetarëve të Kosovës dhe shtetin e Kosovës.

“Besojmë se drejtësia franceze nuk do të tolerojë një gjendje të tillë. I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i jap fund njëherë e përgjithmonë këtyre akteve të patolerueshme të Serbisë, ndërkaq, kërkojmë nga institucionet franceze të mundësojnë kthimin e Haradinajt në Republikën e Kosovës”, ka shkruar ai.

Exit mobile version