1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Mustafa: SHBA, Gjermania e Franca ta sqarojnë a kanë kundërshti me Kurtin, i ndihmuan të vijë në pushtet

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, beson se Kosova 15 vjet më vonë, në 30 vjetorin e pavarësisë, mund të bëhet anëtare e NATO-s dhe OKB-së, por dyshon se deri atëherë mund të hyjë në Bashkimin Evropian. Për këtë ‘parashikim’ qysh tani meritat ia lë SHBA-së, por nuk heziton të kritikojë ndaj Uashingtonit, Berlinit e Parisit që, sipas tij, e kanë ndihmuar Kurtin të vijë në pushtet.

“Pa të keqe duhet ta them se Kurti i ka marrë votat nga qytetarët që të kundërshtojë Perëndimin”, thotë Mustafa kur pyetet nëse po sheh përplasje mes Kurtit dhe qeverive perëndimore që po bëjnë presion për marrëveshje me Serbinë.

“Është përkrahur nga Gjermania, Franca por jo pak edhe nga SHBA për të ardhur në pushtet. Prandaj, vetëm këta e dinë tani se çfarë kanë dhe si qëndrojnë ndërmjet veti, a e kanë seriozisht apo po luajnë lojëra”.

Duke i komentuar përpjekjet e Perëndimit për një marrëveshje Kosovë-Serbi me anë të propozimit evropian, Mustafa thotë se plani do të qetësonte serbët në Veri, por jo edhe Serbinë nga qëllimet për ta minuar Kosovën.

Sidoqoftë, destinacionin final ku do të çojë kjo marrëveshje, Mustafa thotë se s’mund ta parashikojë meqë “derisa s’ke informata, je i verbër”. Por, këtu ai mund të shohë se marrëveshja e prezantuar në planin franko-gjerman do të prodhojë edhe marrëveshje të tjera, për të cilat thotë se Qeveria duhet t’i sqarojë.

Politikani veteran në një intervistë për Gazetën Express ka pranuar se qeverisjet në Kosovë, në faza të caktuara janë sjellë papërgjegjshëm, përfshirë edhe atë të Kurtit.

“Për fat të keq, qeverisja në cikle të caktuara është treguar joefektive dhe e papërgjegjshme. Edhe në ditën e sotme!”.

Ndonëse shpreson se vendit mund t’i hapet perspektiva e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB-në ku duhen evituar vetot ruse e kineze, ai përgjigjet me ironi kur pyetet si mund të ndodhë kjo.

“Ndoshta kanë ide Vjosa dhe Albini, të cilët çdo ditë po “luftojnë” me Rusinë”.

Në ditët e ardhshme Kosova shënon 15 vjetorin e pavarësisë. Pavarësisht se ka mbi 100 njohje dhe një mendim të GJND’së se pavarësia nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, vendi po përballet me telashe që sipas shumëkujt vijnë nga fakti se Kosova nuk është një shtet anëtar i OKB’së. Sa i vështirëson “jetën” Kosovës fakti që nuk është anëtar i familjes botërore të kombeve?

Mustafa: Të jesh anëtare e OKB-së nënkupton njohje ndërkombëtare, siguron qasje në agjencionet e OKB-së dhe asistencën nga KB, ndikim në çështjet botërore si dhe pjesëmarrje në diplomacinë dhe sigurinë ndërkombëtare. Për këtë kemi shumë nevojë. Por, para së gjithash Kosova ka nevojë ta njohin pesë vendet e BE-së, të cilat akoma nuk e kanë njohur.

Një pyetje hipotetike; Po të kishim një qeverisje efektive dhe me vizion të qartë nga shkurti i vitit 2008, a do të kishim telashe të kësaj natyre? A e ka penguar zhvillimin ekonomik, ngritjen e mirëqenies statusi i padefinuar ndërkombëtarisht?

Mustafa: Për fat të keq, qeverisja në cikle të caktuara është treguar joefektive dhe e papërgjegjshme. Edhe në ditën e sotme!

Kosovën po e konsumon tej mase dialogu me Serbinë dhe çështjet e pazgjidhura. Kjo po krijon te palët dhe vendet e tjera pasqyrë të pasigurisë për të investuar te ne, kurse çështjet zhvillimore nuk po arrijnë  të fitojnë prioritetin që duhet ta kenë. Rezoluta e OKB-së e cila e obligoi Kosovën për dialog me Serbinë, pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, po keqpërdoret nga Serbia për të defunksionalizuar shtetin e Kosovës dhe jo për të gjetur zgjidhje.

A ka qenë lehtë e parashikueshme, sipas jush, para 15 vjetësh se Kosova do të përballet me probleme të kësaj natyre, dialogu me Serbinë, gjendja në Veri që përsëri lidhet me Serbinë apo dukej se me shpalljen e shtetit dhe me gjithë atë mbështetje ndërkombëtare gjërat do të shkonin në drejtim tjetër?

Mustafa: Kam bindjen se ne jemi treguar të papërgjegjshëm, si ndaj vendit tonë ashtu edhe ndaj partnerëve tanë që na kanë përkrahur ta bëjmë shtetin. Nuk kemi marrë mend për faktin se ne e kemi fituar lirinë dhe shtetin mbi bazë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, prandaj se duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm ndaj komuniteteve në vendin tonë. Ashpërsia dhe lufta e brendshme politike, si luftë për mbajtjen e pushtetit ose për të ardhur në pushtet, qasja që me serbët t’i zgjidhim problemet me polici, nuk ka konvergjuar në asnjë kriter me përgjegjësinë që është dashur ta kenë të gjitha subjektet politike në Kuvend dhe jashtë tij për ndërtimin e shtetit, i cili ishte dhe është në shtatin e tij të njomë dhe shumë të brishtë. Edhe sot grinden pozita dhe opozita, por të tëra efektet e grindjes dhe luftës politike nuk maten me të mirat dhe të këqijat që ia sjellin vendit por me sondazhet dhe pëlqimet në Facebook. Është kjo logjikë e tmerrshme!

Tash ka një mobilizim ndërkombëtar, i krahasueshëm ndoshta vetëm me Konferencën e Rambujesë dhe Bisedimet e Vjenës për të arritur një marrëveshje Kosovë-Serbi mbi bazën e një plani franko-gjerman, që nuk sjell njohje nga Serbia e as garanci për anëtarësim në OKB. Ku do ta çojë kjo Kosovën nëse ka ujdi?

Mustafa: Duhet të them, se nuk dihet se ku do të na çojë. Derisa s’ke informata, je i verbër. Ata që kanë informacione, nuk po i bëjnë publike. Për një marrëveshje të tillë nuk është esenciale se çfarë përmbajnë 9 apo 10 pikat, por çfarë prodhojnë ato në të ardhmen. Sepse kjo marrëveshje do të derivojë edhe shumë marrëveshje tjera; vetëqeverisje të komunitetit serb ( jo vetëm asociacion/zajednicë të Albinit, të drejta të veçanta të Kishës Ortodokse Serbe) s’do të ketë njohje nga Serbia … e shumë e shumë çështje vetëm sa prolongohen, por mbesin të mjegulluara.

A keni një ide si mund ta evitojë Kosova veton e Rusisë dhe Kinës në OKB për të siguruar ulësen në OKB?

Mustafa: Ndoshta kanë ide Vjosa dhe Albini, të cilët çdo ditë po “luftojnë” me Rusinë. Tani për tani ose më mirë me thënë në të ardhmen kjo veto në masë të madhe do të ndikohet nga Serbia.

Pasi që argumenti kryesor për marrëveshje Kosovë-Serbi është ecja e dy vendeve drejt BE’së, a mund të thuhet se Kosova do ta ketë më të lehtë të bëhet pjesë e Unionit pavarësisht 5 vendeve? Pyetja e njëjtë vlen edhe për anëtarësimin eventual në NATO.

Mustafa: Si anëtarësimi në BE, ashtu edhe në NATO, kërkon pajtimin e vendeve anëtare. Prandaj duhet të punohet të na njohin 5 vendet e BE-së, paraprakisht dhe vendet e NATO-s, të cilat nuk na kanë njohur.

Tash kemi një qeveri që është skeptike në raport me ndërkombëtarët. A mendoni se për herë të parë mund të jemi në kolizion me Perëndimin apo edhe Kryeministri Kurti megjithë rezervat po bashkëpunon me Perëndimin?

Mustafa: Pa të keqe duhet ta them se Kurti i ka marrë votat nga qytetarët që të kundërshtojë Perëndimin. Kurtin mund ta kritikojmë sa të duam, por ai ka folur haptas kundër dialogut me Serbinë, kundër Asociacionit, për bashkim me Shqipërinë; të gjitha këto në kundërshtim me qëndrimet e SHBA -së dhe BE-së, dhe është votuar më së shumti!? Është përkrahur nga Gjermania, Franca por jo pak edhe nga SHBA për të ardhur në pushtet. Prandaj, vetëm këta e dinë tani se çfarë kanë dhe si qëndrojnë ndërmjet veti, a e kanë seriozisht apo po luajnë lojëra.

Nëse nuk siguron njohje, a mund të presim së paku në raportet Kosovë-Serbi me planin franko-gjerman se do të ndërpritet marrëdhënia toksike dhe destruktive mes dy vendeve?

Mustafa: Francezët, gjermanët dhe amerikanët – ata që e kanë pjellë këtë dokument – po shprehen se ai nuk e ka njohjen e Kosovës nga Serbia. E ndryshe po shprehen disa nga qeveria, Kuvendi dhe një parti e opozitës. Do t’u besoja atyre që e kanë shkruar.

Marrëveshja mund të ndihmojë të qetësohen relacionet me serbët në veri, ndërkaq sa i përket Serbisë, ajo deri sa nuk na njeh veç sa do të fitojë kohë për të punuar në minimin e shtetit të Kosovës.

A guxoni të bëni një parashikim për atë se ku do të jetë Kosova pas 15 vjetësh?

Mustafa: Besoj se do të jetë në NATO dhe në OKB, falë SHBA-së. Nuk jam i sigurt se do të jetë anëtare e BE-së.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img