Kryeministri i vendit, Isa Mustafa vlerëson se Serbia po mundohet të nxitë konflikte të reja me Kosovë, që sipas shefit të ekzekutivit, këto tensione do të dëmtonin proceset integruese të rajonit.
Mustafa këto komenti i bëri duke folur për arrestimin e kreut të AAK’së Ramush Haradinaj, dy ditë më parë, në një aeroport të Francës, shkruan Gazeta Express. Kryeministri kosovar apeloi tek shteti francez se ata duhet ta kuptojnë se fletarresti ndaj ish-komandantit të UCK’së është krejtësisht politik dhe nuk kanë bazë juridike.
Reagimi i plotë i Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa:
Shpreh shqetësimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndalimin dhe procedurat që po zhvillohen ndaj kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, i cili është ndaluar nga autoritetet franceze, në bazë të një fletarresti të motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi.
Më lejoni që të ritheksoj qëndrimin e padilemë të Qeverisë së Republikës së Kosovës kundër këtyre fletarresteve të Serbisë, të cilat janë akte plotësisht të paligjshme, të padrejta dhe me tendenca të qarta për të provokuar tensione, konflikte dhe për të dëmtuar proceset evropiane në rajon dhe më gjerë.
Ne e kemi bërë të qartë që në momentet e para të ndalimit të z. Haradinaj, se të gjitha dikasteret kompetente të Qeverisë së Kosovës janë angazhuar me kapacitet të plotë dhe vazhdojnë të punojnë me prioritet të plotë për të kontribuar në çdo formë për lirimin sa më të shpejt të z. Haradinaj, në mënyrë që ai sa më parë të kthehet në Kosovë dhe të vazhdoj me aktivitetet e tij.
Aktet e ndalimit të z. Haradinaj, por dhe personaliteteve të tjera në Kosovë, i konsiderojmë se janë akte të palejueshme, duke pas parasysh edhe faktin se z. Haradinaj e ka dëshmuar para drejtësisë ndërkombëtare në dy raste pafajësinë e tij dhe po ashtu është përballur edhe me ndalesa të tjera të përkohshme të cilat e kanë konfirmuar se fletarrestet serbe nuk kanë asnjë bazë.
Andaj, ne presim që z. Haradinaj të kthehet shumë shpejtë në Kosovë dhe po ashtu presim që edhe Qeveria Franceze të ketë parasysh se këto fletarreste janë krejtësisht politike dhe nuk kanë asnjë bazë juridike dhe bazë ligjore.
Ndërkaq, Qeveria e Republikës së Kosovës, do të vazhdojë angazhimin e gjithanshëm që aktakuzat e paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë ndaj personaliteteve kosovare, sa më parë të shpallen të pavlefshme.
Në konsultim të gjithanshëm me autoritetet brenda dhe jashtë vendit, do të shqyrtojmë masat adekuate të veprimit në rast se Serbia, duke keqpërdorur mekanizmat ndërkombëtarë që merren me rend dhe ligj, do të vazhdojë aplikimin e këtyre akteve të palejueshme dhe të pamoralshme politike ndaj veprimtarëve dhe luftëtarëve për liri të Kosovës.
Unë, po ashtu, kërkoj që organet kompetente, të cilat me një përkushtim shumë të madh kanë punuar deri më tani, të vazhdojnë të punojnë, në mënyrë që z. Haradinaj të kthehet, por po ashtu do të vazhdojmë që të kemi kontakte edhe me bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë që të parandalohen veprimet e tilla serbe në të ardhmen. /GazetaExpress/.