Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, bëri sot homazhe te Kompleksi Përkujtimor në Reçak, në shënim të 18 vjetorit të masakrës që ndodhi në këtë fshat, ku tha se masakra e Reçakut është dëshmi e mizorisë dhe gjenocidit të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.
Kryeministri Mustafa shprehu nderimet më të larta institucionale dhe personale për martirët e kësaj masakre.
“Sot, jemi këtu për të bërë nderime për viktimat e Reçakut. Është fjala për një masakër ndër më të mëdhatë që është kryer në Kosovë nga ushtria dhe paramilitarët serbë në vitin 1999. Është një rast që ne të përkujtojmë dhe të zgjojmë vetëdijen e qytetarëve, por edhe të komunitetit ndërkombëtar, për veprat mizore që Serbia i ka bërë në Kosovë, për gjenocidin dhe për masakrat e krimet kundër njerëzimit që kanë ndodhur këtu, që megjithatë duhet të përgjigjen për të gjitha ato që i kanë bërë në Kosovë dhe që në asnjë rast nuk do t’i japin të drejtë vetes që të zgjojnë ndjenjat e atëhershme edhe njëherë, qoftë në Kosovë qoftë në Ballkan”, tha kryeministri Mustafa./KosovaPress/