Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa ka kritikuar Qeverinë Kurti për marrjen e masave ekonomike pa plan përmes “Pakos për përballje me Inflacionin”, në përpjekje për t’i shuar pakënaqësitë e qytetarëve, që po përballen më krizën ekonomike dhe energjetike.
Mustafa me anë të një konference për medie, tha se kjo pako e re ka për synim blerjen e paqes sociale, pas krizës së krijuar nga Qeveria me sjelljen ndaj punonjësve të sektorit publik.
Ai u shpreh se qytetarët kanë nevojë për siguri ekonomike dhe ndihmat e tilla simbolike të varura nga kalkulimet politike të qeverisë, nuk mjaftojnë për t’u përballur me shtrenjtimin e kostos së jetesës.
“Me politika të tilla, Qeveria po dëshmon se bllokimin e investimeve kapitale e ka bërë për t’i grumbulluar depozitat në mënyrë që sa herë që të ketë krizë besimi te qytetarët apo kur partia në pushtet nuk i ka punët mirë ne terren, ta hapë kuletën e shtetit dhe të shpërndajë lëmoshë për ta zbutur mllefin e qytetarëve”, u shpreh ai.
Duke akuzuar Qeverinë për mungesë vizioni dhe transparence, Mustafa tregoi se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve po vazhdon të mos i shfrytëzojë instrumentet e akcizës dhe TVSH-së për ta zbutur rritjen e nivelit të përgjithshëm të çmimeve.
“Duke mos performuar siç kërkohet në funksionet kyçe që ka në portfolion e saj, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është shndërruar në vetëm Ministri të Transfereve, me funksionin kryesor për të shpërndarë ndihma te kohëpaskohshme, të motivuara më tepër politikisht sesa për t’i adresuar problemet ekonomike e sociale në vend”, tregoi Mustafa.
PDK vazhdimisht i ka bërë thirrje qeverisë për hartimin e masave të vërteta ekonomike e fiskale për për t’i evituar sfidat me të cilat sot po përballen qytetarët, por ajo ka dështuar të sigurojë mirëqenie e zhvillim ekonomik.