Këto konstatime Mustafa i ka bërë në një shkrim drejtuar strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Siç ka shkruar ai, LDK nuk do të jetë asnjëherë pjesë e dialogut me Serbinë, as në ekipin e presidentit e as të qeverisë.
Më poshtë postimi i Mustafës:
Të nderura veprimtare dhe veprimtarë të LDK-së
Nga ky muaj kemi filluar të intensifikojmë punën me organizatat vendore të LDK-së. Po diskutojmë për prioritetet, të cilave duhet tu përmbahemi si LDK në komuna dhe në nivel qendror, për ndryshimet që duhet të ndodhin, në mënyrë që Kosova të qeveriset mirë e pa korrupsion.
Po shkëmbejmë mendime me strukturat dhe anëtarësinë e LDK-së për temat me rëndësi të veçantë për Kosovën. Po bëhemi gati ta rimarrim qeverisjen e vendit, duke ofruar zgjidhje evropiane për proceset që na presin.
Në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar LDK doli bindshëm parti e parë. Të gjitha sondazhet e këtij viti, po ashtu, flasin se kemi besimin më të madh të qytetarëve. Por kjo nuk e mbron LDK-në nga marrëveshjet e fshehta dhe manipulimet që mund ti bëjë PDK në zgjedhjet e ardhshme.
Prandaj duhet të punojmë shumë me anëtarësinë dhe qytetarët për ta shtuar besimin e tyre në fitoren tonë të përbashkët.
LDK e ka thënë qartë se tani në asnjë rast nuk do të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë, as në ekipin e Presidentit dhe as të Qeverisë.
Do të punojmë që zgjedhjet e parakohshme të ndodhin sa më shpejtë, sepse LDK ndan bindjen e pjesës dërmuese të qytetarëve të Kosovës se qeverisja e tanishme e vendit është e dëmshme për Kosovën dhe ardhmërinë e saj.
Deri në shpartallimin e këtij koalicioni, LDK nga këndi i opozitës do të mbroj interesat e vendit, në bashkëpunim edhe me partitë e tjera që i qëndrojnë besnike opozitarizmit.