Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka komentuar protestën e sotme kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë.
Mustafa ka thënë se kjo protestë tregon edhe kompleksin e inferioritetit tonë që të pajtohemi se jemi këta që jemi, rreth 95 përqind myslimanë
“Por, në vend që të turpërohemi, do duhej të krenohemi, ashtu siç krenohen të gjithë njerëzit e botës për besimin e tyre në Zot, për objektet e tyre monumentale fetare, pa marrë parasysh sesi e demonstrojnë besimin e tyre, si myslimanë, katolikë, ortodoksë, protestantë”, ka shkruar Mustafa.
Postimi i plotë:
Miq të nderuar
Protestat janë pjesë e ekspozimit demokratik. Sikurse, kjo e sotmja kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë.
Protesta tregon edhe kompleksin e inferioritetit tonë që të pajtohemi se jemi këta që jemi, rreth 95 përqind myslimanë. Por, në vend që të turpërohemi, do duhej të krenohemi, ashtu siç krenohen të gjithë njerëzit e botës për besimin e tyre në Zot, për objektet e tyre monumentale fetare, pa marrë parasysh sesi e demonstrojnë besimin e tyre, si myslimanë, katolikë, ortodoksë, protestantë….
Tendenca që të diktosh besimin dhe objektet fetare, nuk përkon me respektimin tonë të ndërsjellë dhe as me respektimin e vetvetes. Pse duhet të na pengojë një xhami e madhe, një katedrale, një kishë në Prishtinë. Qytetet më të mëdha ua kanë vënë qytetarë të tyre vendet më të mira për xhami, siç është Londra. Është Tirana. Këtë e kam bërë edhe unë sa isha Kryetar i Prishtinës.
E inkurajoj Kryetarin Ahmeti të vazhdojë me ofrimin e zgjidhjes më të mirë për ndërtimin e kësaj xhamie.
Të mundohesh që të paraqitesh ai që nuk je, s’është asgjë më pak sesa primitivizëm.