Site icon PrishtinaPress

Mustafa: Nuk kemi ngrirje të qëndrimeve me LVV-në për pozita të caktuara

Pas përfundimit të takimit me kryetarët e degëve të LDK-së, kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa ka folur para mediave.

Ai ka thënë se ky takim ishte që të njoftohen kryetarët e degëve lidhur me ecurinë e bisedave që po i zhvillojnë me Lëvizjen Vetëvendosje për koalicionin e mundshëm qeverisës.

“Meqenëse procesi i bisedimeve po vazhdon edhe më tutje, dhe çdo ulje në tavolinë nënkupton mundësinë që të gjejmë zgjidhje të përbashkëta”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se mospajtimet kanë edhe pajtime.

Mustafa ka shtuar se deri më tani me LVV-në janë pajtuar për planin qeverisës dhe për një pjesë të ndarjes së përgjegjësive.

“Kanë mbetur edhe disa çështje që ti diskutojmë edhe më tutje. Ajo që ne në LDK vlerësojmë që është themelore është që ne ta shtojmë mirëbesimin dhe respektin reciprok, se ne si partnerë të ardhshëm duhet të kemi besim dhe nëse ky besim mungon atëherë do të kemi problem në lidhjen e marrëveshjes së koalicionit atëherë këto probleme do të shpërfaqen edhe më vonë”, u shpreh Mustafa.

I pari i LDK-së, tha se nuk kanë ngrirje të qëndrimeve sa i përket pozitave të caktuara.

Ai shtoi se edhe çështja e presidentit është parimore.

“Çështja e presidentit mendojmë se është parimore, dhe është çështje e mirëbesimit ndërmjet nesh më mënyrë që edhe ndarja e pozitave të bëhet e tillë dhe asnjëra të mos del super e fuqishme nga ky koalicion”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se kjo është kërkesa e tyre e vetme.

Mustafa ka thënë se nuk ka asnjë kërkesë apo formulë personale në takimet që kanë zhvilluar deri tani.

I pyetur për emrin e presidentit, Mustafa ka thënë se zgjedhjet për president nuk janë tani.

“Ne zgjedhjet për president nuk i kemi tani, dhe kur i vjen koha organet e LDK-së do ta bëjnë publik edhe emrin për president. Nëse ne kemi besim si LDK që ta votojmë z.Kurti për kryeministër, atëherë presim që një besim të tillë duhet ta ketë edhe partneri jonë ndaj LDK-së, por nuk dyshojmë për këtë”, ka thënë Mustafa.

Ai ka theksuar se për sot nuk kanë caktuar takim.

“Për takime merremi vesh drejtpërdrejt unë dhe z.Kurti, dhe do të jemi transparent ndaj jush”, tha Mustafa para mediave.

Exit mobile version