Lidhja Demokratike e Kosovës sot shënon 31 vjetorin e themelimit të saj.
Me këtë rast, kryetari i kësaj partie Isa Mustafa derisa ka uruar strukturat e kësaj partie, anëtarët dhe simpatizantët ka theksuar edhe se themelimi i LDK-së shënon një ndër ngjarjet më të rëndësishme për vendin.
Mustafa ka theksuar se Kosova këto ditë po përballet me sfidën e pandemisë, ku LDK-ja së bashku me kuadrot më të mirë, po mundohet që të japë maksimumin për ta tejkaluar edhe këtë gjendje.
“LDK-ja aktualisht udhëheq me Qeverinë dhe do të jetë përgjegjëse dhe e përkushtuar që t’i kryej detyrat kushtetuese deri në rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme. LDK pati guximin dhe vetëdijen për të dalë në ballë të proceseve të mëdha, në kohët më të vështira, prandaj jam shumë i sigurt që në zgjedhjet e ardhshme në bashkëpunim me të gjitha strukturat elektorati i LDK-së do të angazhohet për rezultatin më të suksesshëm. Nga këto zgjedhje LDK do të del edhe më e fuqishme, duke e respektuar votën dhe vullnetin qytetar”, ka thënë Mustafa.
Komunikata e plotë:
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, me rastin e 31 vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, iu drejtohet anëtarësisë me këtë komunikatë:
“Të nderuara struktura të LDK-së, anëtarë, aktivistë dhe ju simpatizantë,
Urime të gjithë juve dhe qytetarëve të Kosovës dita e themelimit të partisë së parë me vlera demokratike dhe orientim perëndimor.
Themelimi i LDK-së shënon një ndër ngjarjet më të rëndësishme për vendin tonë, një grup intelektualësh më 23 dhjetor të vitit 1989 në Shtëpinë e Shkrimtarëve në Prishtinë vendosën të themelonin lëvizjen, partinë e cila do të bëhej boshti kryesor rreth së cilës zhvilloheshin të gjitha proceset historike për Kosovën. Ajo ishte partia e parë që bëri bazat e pluralizmit politik jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë.
Në krye të kësaj partie që nga themelimi e deri në vdekje, ishte shkrimtari, studiuesi i letërsisë, presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova.
Për gjatë këtyre tre dekadave Lidhja Demokratike e Kosovës ishte komponentja që vizionin dhe qëllimin e saj kryesor dikur kishte trinomin liri, pavarësi dhe demokraci, ndërsa sot forcimin dhe zhvillimin e vendit.
LDK-ja si parti e qendrës së djathtë, anëtare e Partive Popullore Evropiane dhe partia kryesore në politik bërjen kosovare është angazhuar pa ndalur për shtet ndërtim dhe konsolidimin e demokracisë së brendshme. Proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova, që nga okupimi serb, liria, shpallja e pavarësisë dhe tashmë sfidat e forcimit të shtetit janë pa shmangshëm të lidhura ngushtë me LDK-në.
Kosova këto ditë po përballet me sfidën e pandemisë, ku LDK-ja së bashku me kuadrot më të mirë, po mundohet që të japë maksimumin për ta tejkaluar edhe këtë gjendje.
LDK-ja aktualisht udhëheq me Qeverinë dhe do të jetë përgjegjëse dhe e përkushtuar që t’i kryej detyrat kushtetuese deri në rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme.
LDK pati guximin dhe vetëdijen për të dalë në ballë të proceseve të mëdha, në kohët më të vështira, prandaj jam shumë i sigurt që në zgjedhjet e ardhshme në bashkëpunim me të gjitha strukturat elektorati i LDK-së do të angazhohet për rezultatin më të suksesshëm. Nga këto zgjedhje LDK do të del edhe më e fuqishme, duke e respektuar votën dhe vullnetin qytetar.
LDK-ja i përkujton dhe u është përherë mirënjohëse të gjithë veprimtarëve të cilët nuk kursyen as jetën e tyre për të mbrojtur bindjet dhe idealin e tyre për një shtet të lirë dhe demokratik.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdoj të jetë formacioni kryesor politik në vend. Të gjitha interesat e shtetit të Kosovës do të jenë prioriteti kryesor i politik bërjes së LDK-së, prandaj krejt në fund urime të gjithë anëtarësisë dhe qytetarëve të Kosovës.
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës,
Zoti e bekoftë LDK-në.