Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka folur rreth informacioneve se po përgatiten sulme kundër lidëve politikë në Kosovë.
Mustafa ka thënë se në mbledhje të Këshillit për Siguri të Kosovës, kanë vlerësuar disa informata të cilat i kemi marrë nga organet kompetente të cilat e përcjellin çështjen e sigurisë në Kosovë.
“Jemi informuar se ka individë dhe grupe të cilët tentojnë të kryejnë veprime kundër bartësve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe disa liderëve politikë. Individë të tillë janë të lidhur edhe me njerëz jashtë Kosovës dhe me shërbime të ndryshme të cilat nuk ia duan të mirën Republikës së Kosovës dhe e rrezikojnë rendin kushtetues dhe jetën e qytetarëve”, ka thënë Mustafa për Rel.
Ai ka thënë se, duke pas parasysh se çfarë po ndodh në vendet e tjera,janë marrë masa që të shtojmë vigjilencën dhe prezencën e organeve të sigurisë.
“Të jetë kjo prezencë më e madhe, sidomos tani gjatë festave fetare në mënyrë që ato të mos shfrytëzohen për ndonjë akt i cili do të rrezikonte, dëmtonte qytetarët”.
“Ne kemi kërkuar një vigjilencë më të madhe, një prezencë më të madhe, një aktivizim më të madh të gjitha organeve të sigurisë. Po ashtu, kemi kërkuar nga institucionet e drejtësisë që ato të ndërmarrin masa ndaj individëve të cilët e rrezikojnë rendin kushtetues dhe e rrezikojnë jetën e qytetarëve”, është shprehur Mustafa.