Site icon PrishtinaPress

Mustafa i përgjigjet Kurtit: LDK nuk cakton data për formimin e Qeverisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i është përgjigjur liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili tha sot se LDK e përcakton se kur do të formohet qeveria e re, e jo presidenti i Kosovës.  “Caktimi i mandatarit, marrja e mandatit për Kryeministër dhe gjetja e zgjidhjes për formimin e qeverisë, në këtë fazë, është detyrim i subjektit që renditet i pari në zgjedhje”, ka thënë Mustafa.

Mustafa, përmes një postimi në Facebook, tha se LDK nuk cakton data. “Datat i cakton subjekti që del i pari në zgjedhe, ai që e merr mandatin për formimin e Qeverisë. Por, LDK insiston që sa më parë të kemi formim të institucioneve dhe kjo nuk do të thotë se LDK domosdoshmërisht do të bëhet pjesë e qeverisë.

Postimi i plotë i Mustafës:

“Të nderuar qytetarë,

Lidhja Demokratike e Kosovës është angazhuar për marrëveshje për bashkëqeverisje me LVV mbi bazën e rezultateve zgjedhore të datës 6 tetor, të çertifikuara nga KQZ.

Nga këto zgjedhje ka dalë LVV si fitues relativ me 29 deputetë dhe LDK, parti e dytë, me 28 deputetë. Nga zgjedhjet nuk ka fitues absolut, i cili jep ose është gjeneroz ndaj palës tjeter, por kemi një situatë ku përgjegjësia ndahet ndërmjet atyre që synojnë të bëhen partnerë në qeverisjen e ardhshme. Prandaj VV duhet të heq dorë nga diskursi se i ka dhënë diçka LDK-së. Lirisht mund ta themelojë qeverinë në qoftë se kanë votë të qytetarëve dhe mandate për ta bërë atë.

LDK nuk ka kërkuar lëmoshë, por kemi ofruar gatishmërinë për t’i shërbyer qytetarit në partneritet të plotë, në proporcion me mandatet në Kuvend.

LDK nuk cakton data. Datat i cakton subjekti që del i pari në zgjedhe, ai që e merr mandatin për formimin e Qeverisë. Por, LDK insiston që sa më parë të kemi formim të institucioneve dhe kjo nuk do të thotë se LDK domosdoshmërisht do të bëhet pjesë e qeverisë.

Është obligim i fituesit të zgjedhjeve që të shmang vonesat dhe t’i eliminojë pengesat për formimin e institucioneve. Ne bëmë punën tonë, zhbllokuam procesin, përkundër që s’kishim marrëveshje e as njoftim se VV do të procedojë me Kryetarin e Kuvendit.

Për hir të së vërtetës, LDK, jo që ka refuzuar por, ka vlerësuar se duhet ti takojë Kryeparlamentari me marrëveshje.

Caktimi i mandatarit, marrja e manatit për Kryeministër dhe gjetja e zgjidhjes për formimin e qeverisë, në këtë fazë, është detyrim i subjektit që renditet i pari në zgjedhje. IM”, ka shkruar Mustafa.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë që ai udhëheq, tha sot se do të ndodhë takimi konsultativ me Hashim Thaçin, mirëpo siç tha ai, Presidenti nuk mund t’ia caktojë datën për formimin e qeverisë, shkruan Telegrafi.

“Presidenti i Republikës përcakton datën e konstituimit të Kuvendit, jo të formimit të Qeverisë. Formimin e Qeverisë e përcakton tjetër kush, jo Presidenti i Republikës. Mua datën për formimin e qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike Kosovës, jo Presidenti i Kosovës, pra mos të keqkuptohen të gjëra. Natyrisht që do të ndodhë takimi konsultativ. Mirëpo ta vonosh maksimalisht 30 ditë konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e të mi dërgosh dy ftesa në ditë është kërcim prej një ekstremi në ekstremin tjetër, secila më gabim se tjetra”, tha Kurti. /Telegrafi/

Exit mobile version