Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se ende ka gjasa për marrëveshje koalicioni me Vetëvendosjen, por pa hequr dorë nga oferta e LDK-së që përfshin kërkesën që posti i kryeparlamentarit t’i takojë kësaj partie.
Në intervistën dhënë për RTV 21, lideri i LDK-së në rast të dështimit të marrëveshjes me Vetëvendosjen, lë të hapur mundësinë që LDK-ja ta votojë qeverinë e pakicës, të propozuar nga Vetëvendosje, por me kusht që të dihet se çfarë do të jetë ajo qeveri, çfarë programi do të ketë dhe çfarë i ofron Kosovës.
I pyetur për situatën nëse dështon Vetëvendosje me Qeveri të pakicës dhe mundësinë që kur të jetë kjo në diskrecion të presidentit, ta marrë LDK-ja mandatimin për krijimin e Qeverisë, Mustafa tha se ajo pas 4 shkurtit është një periudhë që asnjëri prej nesh nuk e di se çfarë do të ndodhë.
Zotëri Mustafa a ka ende gjasë për marrëveshje koalicioni me Vetëvendosjen?
Isa Mustafa: Mendoj se gjasa ka. Mendoj po ashtu se ka arsye shumë të madhe që Lëvizja Vetëvendosje të çojë procesin përpara, të tregojë vullnet dhe ta bëjë koalicionin. Ajo çfarë ne kemi dhënë si zgjidhje kemi konsideruar dhe konsiderojmë që është zgjidhje e mirë, mundëson të qeveriset në mënyrë stabile për katër vitet e ardhshme dhe mundëson po ashtu një balancim të pushteteve që është e domosdoshme në çdo demokraci e edhe tek ne.
Si do të veprohet nëse nuk arrihet një marrëveshje koalicioni?
Isa Mustafa: Për tutje unë nuk mund të them se çfarë dhe si do të veprohet. Unë megjithatë mbetem me shpresë që kjo duhet të përfundohet, ashtu siç ka filluar. Lëvizja Vetëvendosje të shfrytëzojë mandatin, të tregojë vullnet të mirë edhe ta bëjë qeverinë.
Nëse dështon marrëveshja për koalicion, a do ta votoni Qeverinë e pakicës të propozuar nga Vetëvendosje?
Isa Mustafa: Tash ne jemi shprehur më datën 26 dhjetor se në qoftë se do të thotë na ndahen rrugët me Lëvizjen Vetëvendosje dhe ata nuk vazhdojnë edhe më tutje negociatat me ne dhe bashkëqeverisjen me ne, atëherë ne do të votojmë një qeveri të tillë, por jo pa kushte. Duhet të dimë se çfarë do të jetë ajo qeveri, çfarë programi do të ketë, çfarë i ofron Kosovës, sepse nuk kemi mundësi që jashtë përgjegjësisë sonë të votojmë e pastaj e të mos dimë se çfarë do të bëjë ajo qeveri.
Nëse dështon Vetëvendosje me Qeveri të pakicës, kur të jetë në diskrecion të presidentit, a do ta pranoni ju herën e dytë mandatimin për krijimin e Qeverisë?
Isa Mustafa: Mendoj se kjo është çështje e Vetëvendosjes, që z. Kurti duhet ta shfytëzojë maksimalisht mandatin që e ka. Ajo pas datës 4 shkurt është një periudhë që asnjëri prej nesh nuk e di se çfarë do të ndodhë. Nuk mund të japë një përgjigje të tillë. Ne vullnetin tonë e kemi pasur dhe e kemi ta përmbyllim këtë koalicion me Vetëvendosjen, por natyrisht duke respektuar njëra- tjetrën si palë të kësaj marrëveshjeje.
A do të thotë kjo se zgjedhjet e reja janë zgjidhja e vetme?
Isa Mustafa: Mendoj se zgjedhjet nuk janë zgjidhje e vetme dhe nuk duhet të ndodhin. Mirëpo a do të ndodhin apo jo në rend të parë është përgjegjësi e partisë, e cila ka dalë e para. Zgjedhjet janë një instrument demokratik, por mendoj se qytetarët nuk kanë dalë në zgjedhje më 6 tetor të vitit të kaluar për të shkuar në zgjedhje të reja, por për të formuar institucionet e Republikës së Kosovës. Prandaj, nuk duhet shumë të imtësohet kjo çështje, të shikohet në detaje tepër të holla, të dyshohet në qeverisjen e mëtutjeshme, por të bëhet qeveri prej njerëzve të zakonshëm, sepse ne nuk jemi të veçantë asnjëri në këtë vend. Do të thotë nuk jemi njerëz hyjnorë që duhet tash të pritet që me çdo kusht të arrihen edhe rezultate hyjnore. Jemi këta njerëz që jemi, të Kosovës, duhet t’i besojmë njëri- tjetrit dhe duhet ta bëjmë një qeveri që ju shërben qytetarëve të Republikës së Kosovës.