Në shtator të vitit 2008, Boban Stankovic ishte shkarkuar nga pozita e Ministrit për Kthim e Komunitete nga Kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi. I njëjti person tash është emëruar Zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Vendimin e ka marrë Isa Mustafa pasi zëvendësministren e deritashme të Punës, Mirjana Jetvic, e ka emëruar Shefe të Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal.
Megjithëkëtë, tetë vite më vonë, i njëjti person është rikthyer në Qeverinë e Kosovës.
Tash, në pozitën e Zëvendësministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale.
“Vendimin për emërimin e z. Boban Stankovic e ka marrë Kryeministri Mustafa në konsultim me listës “Srpska””, ka thënë për Express një zyrtar në Kabinetin e Kryeministrit.
Sa ishte në Ministrinë e Kthimit, Stankovic ishte akuzuar nga kundërshtarët e tij, se kishte punësuar miq, familjarë.
Kur ishte shkarkuar, Qeveria e Kosovës, pati lëshuar një komunikatë, në të cilën thuhej se Stankovic po largohet nga pozita e Ministrit për arsye personale.
“Prishtinë, 23 shtator 2008 Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, ka aprovuar dorëheqjen e ofruar të ministrit në Ministrinë e Komuniteteve dhe Kthimit, z. Boban Stankoviç. Z.Stankoviq, dorëheqjen e tij, e ka arsyetuar me shkaqe personale dhe të natyrës objektive. Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, pas aprovimit të dorëheqjes, duke marrë në konsideratë propozimin e Partisë së Pavarur Liberale Serbe, ka emëruar z. Sasha Rashiç për ministër në Ministrinë e Komuniteteve dhe Kthimit”, thuhej në deklaratën e Qeverisë, e lëshuar në shtator 2008.