Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka “thumbuar” partnerin e koalicionit, Partinë Demokratike të Kosovës, duke thënë se LDK-ja po paguan skandalet e qeverisjeve të kaluara.
“Ne nuk kemi asnjë skandal por ne po paguajmë skandalet që janë bërë para 10 viteve, por besoj se drejtësia do të duhej ta jepte fjalën e vet”, ka thënë Mustafa para adhuruesve të LDK-së në Shtime.
Mustafa ka folur edhe rreth iniciativës nga Nismës për Kosovën për mocionin e mosbesimit të qeverisës i cili edhe në këtë rast ka “thumbuar” partnerin e koalicionit duke thënë se vetëm frikacakët e lënë punën në gjysmë.
Iniciativa e Nismës për mocion mosbesimi ndaj qeverisë ka ardhur pas fushatës që tashmë po bëhet haptazi nga kryetari i PDK-së.
Shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, ka thënë se shpreson tek mbështetja e deputetëve të koalicionit qeverisës, të cilët tashmë edhe publikisht kanë shprehur dëshirën që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Dje gjatë ditës deputeti i PDK-së Shukri Buja, ka bërë të ditur se ai do ta përkrahte iniciativën e Nismës për rrëzimin e qeverisë.