Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka marrë sot pjesë në ceremoninë e vënies së gurëthemelit të ndërtimit të pikëkalimit të përhershëm kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Merdare.
Me këtë rast, kryeministri Mustafa theksoi se kjo është një e arritur e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në mes të dy shteteve fqinje, Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Mustafa po ashtu ka vlerësuar se ndonëse dialogu nuk ishte gjithmonë i lehtë, rezultatet e arritura dëshmojnë se vetëm përmes dialogut zgjidhen të gjitha problemet me shtetet fqinje.
“Unë e vlerësoj lart sot vënien e gurëthemelit të vendkalimit kufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Vlerësoj se ky është një rezultat i drejtpërdrejt i dialogut që ne kemi zhvilluar për një afat të gjatë, që nuk ka qenë i lehtë, por po jep rezultate shumë të mira, dhe është një dëshmi që ne duhet të vazhdojmë që përmes dialogut të zgjidhim të gjitha problemet tona me fqinj. Unë dëshiroj kësaj radhe të falënderoj Bashkimin Evropian për mbështetjen e këtij projekti dhe t’ju uroj shumë suksese” tha kryeministri Mustafa.
Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, e arritur në kuadër të dialogut të Brukselit, parasheh ndërtimin edhe të pesë pikëkalimeve tjera kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.