Site icon PrishtinaPress

Mustafa: Do të bashkëpunojmë me Vetëvendosjen për ta rrëzuar qeverinë Haradinaj

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se idetë për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve janë të rrezikshme dhe të papranueshme.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se idetë e tilla mund të kenë pasoja vargore jo vetëm për Kosovën dhe qytetarët e saj, por edhe për vendet e tjera të Ballkanit.

“Presidenti Thaçi nuk ka të drejtë ta promovojë korrigjimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve, sepse me këtë po e shkel Kushtetutën. Për dialog ai duhet të ketë mandat të 2/3 të Kuvendit. Pa këtë mandat çdo marrëveshje është e paqëndrueshme dhe e pazbatueshme. Këtë duhet ta kenë parasysh edhe z. Mogherini, Vuçiqi dhe BE-ja”, ka deklaruar Mustafa.

Sipas tij, marrëveshja e parë e nënshkruar nga Thaçi dhe as dokumenti i parimeve i nënshkruar nga Mustafa nuk i japin Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe kompetenca ekzekutive dhe të pushtetit të tretë.

“E kam sqaruar se Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe iu kanë vënë themelet me marrëveshjen e parë të nënshkruara nga z. Thaçi atëherë kryeministër dhe e ratifikuar me mbi 2/3 nga Kuvendi i Kosovës. Për të qenë korrekt, duhet të shtoj se as marrëveshja e parë e nënshkruar nga Thaçi dhe as dokumenti i parimeve i nënshkruar nga unë nuk i japin Asociacionit kompetenca ekzekutive dhe të pushtetit të tretë. Deklaratat për këtë po jepen nga diletantë politikë, të cilët kanë mbetur në lendinë, pasi LDK-ja nuk po i bashkëngjitet këtij dialogu me njerëz që nuk kanë legjitimitet politik dhe kushtetues. Republika Serpska e ministrit tonë të Drejtësisë dhe e mentorëve të tij duhet të parandalohet me marrëveshjen e re. Prandaj, këtu qëndron edhe sikleti i tyre!”, ka theksuar ai.

Mustafa ka folur edhe për punën njëvjeçare të Qeverisë Haradinaj. Ai ka theksuar se ky koalicion qeverisës po e dëmton vendin dhe po e rrezikon stabilitetin buxhetor.

Lideri i LDK-së ka vlerësuar se Kuvendi nuk po funksionon normalisht dhe se Qeveria po merr vendime arbitrare.

“Kjo ka shkaktuar që Kosova si shtet me sistem parlamentar të abuzohet nga presidenti dhe të duket se është shtet presidencial, sepse punët që duhet t’i ushtrojë Qeveria dhe Kuvendi në mënyrë jokushtetuese po i ushtron presidenti i vendit”, është shprehur Mustafa, duke shtuar se ky koalicion, po të ishte i mençur, një orë e më parë do ta shpërndante Kuvendin dhe do të shkonte në zgjedhje të reja.

Ai ka paralajmëruar bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosjen për të krijuar kushte për zgjedhje të reja dhe për qeverisje të mirë të vendit.

Exit mobile version