Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se veprimi në Komisionin për Bujqësi nuk ishte sulm, por protestë ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Peci
Musliu ka deklaruar se gjatë raportimit në komision, Peci e ka provokuar me fjalë.
“Nuk ishte sulm, ishte protestë ndaj të pavërtetave që Faton Peci i adresoi ndaj meje. Sot në komisionin parlamentar, pjesë e të cilit jam edhe unë, ishte i ftuar në raportim të rregullt vjetor ministri Faton Peci. Që nga hyrja e tij në sallë e deri te radha ime për të bërë pyetjet për çka ishim të ftuar, ai ka provokuar vazhdimisht duke lëshuar fjalë anash”, ka deklaruar Musliu.
Musliu tha se ministri Peci nuk i përgjigjej në pyetjet që ia drejtonte, por fliste me të tjerët.
“Ishte një rast kur i adresuam pyetjet ai tha ‘po u përgjigjem pyetjeve të tjera se këto të Ganes janë pyetje me spec’. Pastaj reagimi tjetër ishte ‘pyetjet e Ganes janë tendencioze’. Nuk përgjigjej dhe fliste me të tjerë. Unë i kisha bërë pyetjet dhe prisja përgjigje. I reagova kryetares së komisionit, Fitore Pacolli, dhe i thashë që t’ia tërheqë vërejtjen për mënyrën se si po sillej dhe ajo tha se do ta bënte. Unë prita, por nuk e bëri një gjë të tillë. Në momentin kur erdhi radha t’u përgjigjej pyetjeve, unë i bëra vetëm tri pyetje. Ai vazhdimisht po thotë se ka shlyer borxhe në vlerë prej 40 milionë euro, prandaj pyetja e parë ishte se nga i ka marrë këto mjete. Nuk e di a ka diçka tendencioze këtu ose joparlamentare apo jashtë profilit të punës sime”, ka thënë ajo në Klan Kosova.
Musliu ka bërë një kronologji të krejt ngjarjes, sipas versionit të saj, derisa thotë se gjithçka ka nisur shumë më herët kur ajo kishte ngritur çështjen e granteve për bujqit në seancën e 25 nëntorit në Kuvendin e Kosovës.
“Pyetja e dytë ishte pasi ai në paraqitjen e raportit tha se ka bërë një punë shumë interesante kur një ditë duke lëvizur me makinë ka telefonuar autoritetet kur i ka parë disa kerre me dru. Unë i thashë, te kjo pikë që ai vetë e raportoi, që e quajti pikë interesante por për mua tingëllon banale se ministri nuk është për me u end rrugëve dhe me i ndjek keqbërësit që dëmtojnë pyjet. I thashë që si ministër më mirë është të na tregojë se çka ka bërë në raport me inspektorët të cilët merren me këtë çështje”, ka thënë Musliu.
“Pyetja e tretë e imja ishte prapë duke u bazuar në raport dhe ka të bëjë me thirrjen që është bërë për grante në janar. Unë këtë çështje e kam filluar më 25 nëntor në Kuvend, por nuk është dëgjuar. Ai vendim është shfyqizuar në korrik. Në janar është hapur thirrja për aplikim për grante, në mars është mbyllur dhe nga korriku kur është shfuqizuar vendimi dhe deri në dhjetor ka mbetur në sirtar. Për shfuqizimin e atij vendimi ne i kemi dy arsyetime nga ministri Peci. Gjeneza e krejt problemit që është akumuluar që nga data 25 nëntor kur unë e kam ngritur këtë çështje në foltoren e parlamentit”, ka deklaruar Musliu.