Në Kuvendin e Kosovës po vazhdon debati për gjendjen në sektorin e shëndetësisë. Deputetë nga opozita kanë kritikuar kabinetin qeveritar për mungesë në këtë seancë, meqë asnjë nga ministrat nuk ishte i pranishëm.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se qeveria ka humbur, derisa fjalimin e ka përcjellë me humor duke e ftuar ish-ministrin e Brendshëm, Agim Veliun, që bashkë të dalin dhe ta kërkojnë qeverinë.
“Nëse të kujtohet Agim Veliu gjatë mandatit të kaluar tri herë e pata përsëritur një pyetje parlamentare dhe nuk vije me u përgjigje, ta pata shkruar një letër këtu ‘kërkohet’ dhe hala pa e kryer fjalimin ti më thirre në telefon dhe më tregon ku je. E sot publikisht po të ftoj të dalim bashkë e i marrim edhe disa të Vetëvendosjes që atëherë fotografoheshin me atë letër, ta kërkojmë qeverinë sepse kemi mbet pa qeveri”, ka thënë Musliu.
Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë se qeverinë nuk mund ta kërkojnë vetëm në shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“E nderuara deputete Musliu edhe atëherë kur ju keni menduar që kam qenë i humbur, nuk kam qenë i humbur, por pikërisht kam qenë duke u marrë me këta që sot po merreni edhe ju. Kurse sa i përket çështjes së dytë që e ngritët, unë besoj që mund të të ndihmoj ta gjejmë qeverinë sepse e kemi lehtë t’i lypim sepse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kemi nevojë me i kërku”, ka thënë Veliu.
Kësaj i është përgjigjur deputetja e PDK-së.
“Duke e ditë efikasitetin tuaj në punë dhe përgjegjësi që ke, kërkova ndihmën tënde me i lyp sepse vërtetë këta kanë humbur dhe thonë çka humb mos u gjetë”, ka thënë Musliu./KP/