Site icon PrishtinaPress

Mushkolaj – VV-së: Po i zbatoni marrëveshjet që i kanë nënshkruar qeveritë e kaluara

Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), duke theksuar se marrëveshjet për energjinë dhe targat me Serbinë, të pranuara nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti, janë vetëm kopje e atyre të nënshkruara nga qeveritë e kaluara.

Ai ka shtuar se Qeveria Kurti po i paraqet këto marrëveshje si “të reja”, por sipas tij, “as te targat as te energjia Qeveria s’ka ndryshuar asgjë”.

“Është shumë mirë që qytetarët e Kosovës mund të kalojnë nëpër Serbi lirshëm, është shumë mirë po ashtu që qytetarët në veri shumica serbe por edhe shqiptare kanë me pagu rrymën nuk po them që është keq, por mos na thoni që këto janë marrëveshje të reja, dhe mos na thoni që Qeveria Kurti paska bërë sakrificë, angazhim përpjekje ‘edhe këqyr çfarë marrëveshje na ka nxjerrë’. Për besë kurrfarë sakrifice, kurrfarë marrëveshje, janë marrëveshje të njëjta që i kanë nënshkruar i ashtuquajturi regjim i vjetër edhe ju i keni pranu tash”, ka deklaruar tutje ai në Debat Plus.

Po ashtu, ai ka mohuar se është kundër zbatimit të këtyre marrëveshjeve, por ka theksuar mungesën e ndryshimeve në këto marrëveshje dhe ka kërkuar transparencë nga Qeveria në lidhje me procesin dhe pasojat e këtyre marrëveshjeve.

“Marrëveshja për energjinë qysh e ka pranu zoti Bislimi [zëvendëskryeministri] pikë për pikë është zbatu ajo që është nënshkruar. Marrëveshja e energjisë është e vjetra vetëm mbas 10 vjetësh është pranuar nga Qeveria Kurti, marrëveshja për targa është po ashtu 10 vjet e vjetër çfarë keni ndryshuar, domethënë as te targat as te energjia nuk keni ndryshuar asgjë. Nuk po them se është keq që janë zbatuar, mos të keqkuptohemi”, ka deklaruar Mushkolaj.

Exit mobile version