Lokacioni i kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, u bë krye temë këtyre ditëve. E gjithë kjo ndodhi pasi që ai të martën u nis nga Zvicra për tu kthyer në Kosovë, por aterroi në Tiranë.
Po ashtu, në kohën kur po tentohet të bëhet koalicionin qeverisës i LDK-së me partitë tjera dhe janë në kërkim të votave, ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, ka hedh dyshime se pas vizitës së presidentit Hashim Thaçi në Shqipëri, presidenti e ka futur në Kosovë kreun e AKR-së.
Megjithatë, këshilltari i Pacollit, Naim Murseli tha për Telegrafin se ai nuk gjendet në Kosovë.
“Po z. Pacolli është në shtëpinë e tij në Tiranë”, tha ai.
Sa i përket arritjes së marrëveshjes me LDK-në, Murseli tha se deri tani nuk ka ndodhur.
Ndryshe, pas deklaratës së Sfeçlës ka reaguar ashpër presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ai i ka quajtur shpifje ordinere, kërcënim dhe shantazh se Pacolli është futur me të në Kosovë.
Pas kësaj, ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti duke thënë se “Presidenti i Kosovës, Thaçi, duhet të pushojë me këto kalime kufiri pa protokoll e në kundërshtim me masat e marra ndaj pandemisë COVID-19”.
“Ai është shembull i keq që qytetarët nuk bën ta ndjekin. Sa për sharjet e fyerjet që m’i bën, duke thirrur me zërin që i dridhet porsi kalama nëpër studiot televizive, e kam zgjidhjen: le ta organizojmë një debat televiziv ku dalim ne të dy, pra, unë Kryeministri në detyrë dhe ai Presidenti jashtë detyrës”, ka pohuar Kurti.