Vedat Muriqi thotë se dëshiron të qëndrojë në Mallorca , por nuk e përjashton asnjë skenar tjetër sepse “kanë mbetur edhe dy muaj deri në përfundimin e afatit kalimtar të verës”.
Ylli kosovar i është bashkuar ekipit ishullor në stërvitje, ndërsa e pranon se faza përgatitore është mjaft e lodhshme.
Ai, së bashku me shokët janë duke punuar nën drejtimin e trajnerit Javier Aguirre, ndërsa pas ushtrimeve po e shfrytëzojnë rastin për të pushuar në dhomat e tyre.
“Shokët po flenë, përpos meje, pasi jemi duke e bërë këtë intervistë”, thotë përfaqësuesi kosovar në një intervistë për mediumin spanjoll “IB3”.
29 vjeçari foli edhe për të ardhmen e tij, duke e përsëritur dëshirën për të qëndruar në Mallorca, ndonëse në futboll nuk i dihet asnjëherë.
“Për momentin unë dua të qëndroj këtu. Por, kanë mbetur edhe dy muaj deri në fund të afatit kalimtar. Do të largohem vetëm nëse ndonjë klub do ta paguajë klauzolën time”, vazhdoi prizrenasi, i cili nuk dëshiron t’i bëjë presion klubit të tij.
“Pirati” është optimist që, jashta rastësive, klubi i tij do ta ndërtojë një ekip mjaft konkurrues për edicionin e ri.
“Unë dua lojtarë kualitativë përkrah meje, por ata lojtarë kushtojnë dyfish”, shton ish-futbollisti i Fenerbahçes dhe i Lazios.
Në sezonin 2022/23 i realizoi 15 gola në La Liga, por sa do t’i shënojë në atë 2023/24?
“Unë kurrë nuk përmendi numra, nuk dua të vendos limite.”
Ai është ambicioz edhe sa u përket objektivave të ekipit.
Muriqi e kujton edhe faktin se në sezonin e kaluar Mallorca ishte vetëm një pikë larg Evropës.
Sidoqoftë, Vedati kërkon që ai dhe shokët të prekin me këmbë në tokë, pasi, nëse fillojnë të mendojnë se do të shkojnë në Ligën e Kampionëve, do ta kenë një sezon të keq.
“Nëse fillojmë të luajmë në nivele të larta siç e mbyllëm sezonin e kaluar, ne natyrisht që nuk do të vuajmë dhe mendoj e mund të luftojmë për t’u kualifikuar në Evropë”, përfundoi Muriqi, përcjell “Gazeta Express”.
Futbollisti kosovar është pjesë e Mallorcas qe një vit e gjysmë dhe në këtë periudhë i ka realizuar 20 gola në kampionatin spanjoll.
Atë e pëlqejnë klube nga Spanja, nga Anglia, nga Italia dhe nga Turqia, por deri tash nuk ka pasur asgjë konkrete.