Site icon PrishtinaPress

“Murati nuk do t’i marrë kurrë listat e grevistëve”, flet Jasharaj pas ekzekutimit të pagave nga Qeveria

Qeveria e Kosovës ka lëshuar sot rrogat e muajit gusht, ndërsa greva nga ana tjetër është duke vazhduar, ashtu siç edhe kishte paralajmëruar Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, njëherësh kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Përmes një njoftimi, kjo ministri ka bërë të ditur se ekzekutimi i pagave përfshirë edhe për grevistët është bërë me një kusht, pasi që për muajin e ardhshëm ata kanë kërkuar auditim nëpër komuna për rishikimin e listave të të gjithë punonjësve, shkruan Demokracia.com.

Lidhur me këtë ka folur Rrahman Jasharaj për Demokracia.com, duke thënë se Qeveria nuk mund të ndalë pagat e tyre përderisa ata janë në grevë.

Ai tha po ashtu se ministri Hekuran Murati nuk do t’i marrë listat e grevistëve.

“Përgjigjen, Murati e ka marrë në fillim. Lista nuk do të ketë kurrë, sepse nuk jemi të obliguar as me ligj për të dërguar lista. Ministri Murati në fund e ka parë se tendenca e tij për të na futur frikën dhe për të ndërprerë grevën nuk ka arritur kurrë një efekt, në të kundërtën vetëm e ka shtuar unitetin. Mirë ka bërë që i ka lëshuar pagat, po duhet edhe të bëjë që ai dhe qeveria të ulet me sindikatat, të bëjnë dialog në mënyrë që të arrijmë deri të zgjedhja e kërkesave tona legjitime”, tha Jasharaj për Demokracia.com.

Punonjësit e arsimit, administratës lokale dhe qendrore janë në grevë që nga 25 gushti me kërkesë për rritje pagash.

Sindikatat që janë në grevë po kërkojnë nga 100 euro shtesë për punëtorët deri në hyrjen në fuqi të Projektligjit për Paga, që së fundmi është hartuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ndërkaq, në fundjavë, Qeveria prezantoi një pako të ndihmës, ku është paraparë ndihmë prej 50 eurosh për sektorin publik.

Sipas Projektligjit për Pagat, pasi i njëjti të ketë kaluar në të gjitha procedurat, do të hyjë në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Exit mobile version