1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Murati mohon se është ndalur pagesa për subvencionimin e rrymës për kategoritë e dala nga lufta

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka mohuar se Qeveria ka përjashtuar nga subvencionimi i energjisë elektrike kategoritë e dala nga lufta. Murati këto i quajti lajme të rreme pavarësisht se kjo u konfirmua edhe nga OVL-UÇK.

Murati tha se gjatë gjithë kohës kanë lëshuar komunikata me sqarime, teksa mohoi se ka pasur përjashtime të ndonjë prej kategorive nga ky subvencionim.

“Lajmet e rreme nuk kalojnë!  Është e pavërtetë që Qeveria ka përjashtuar ndonjë kategori nga subvencionimi i energjisë elektrike.   Përkundrazi, me programin e ri synimi është që të zgjerohet lista e familjeve që mbështeten, si dhe subvencionimi të jetë në bazë të të ardhurave, pra sa më pak të ardhura, aq më i lartë subvencionimi. Programi i ri është në fazën e pilotimit, dhe kemi paraparë edhe një fazë/grup aplikimesh ku pritet të trajtohen sfidat që kemi hasur gjatë fazës/grupit të parë.  Si Ministri, kemi lëshuar komunikata me sqarimet e nevojshme, por, se sa u është dhënë jehonë nga disa prej mediave, është për t’u diskutuar. Pikërisht për këtë e kishte fjalën Kryeministri para ca ditësh kur tha se masat dhe veprimet e Qeverisë nuk po përçohen si informata tek qytetarët nga disa media.  Një tjetër argument i thënë në këtë lajm e që nuk qëndron ishte se invalidët e luftës përjashtohen me automatizëm sepse pensioni i tyre është së paku 225 euro, dhe kësisoj e tejkalojnë nivelin e përcaktuar prej 150 euro për kualifikim”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.

Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së thanë sot se Qeveria ua ka hequr benificionin e përfitimit nga subvencionimi i rrymës, privilegj ky që familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe viktimat civile e gëzonin qysh prej miratimit të Ligjit që rregullon të drejtat e tyre.

Kryetari i Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevdet Qeriqi ka thënë për Gazetën Express, se subvencionimi i rrymës për këto kategori është hequr nga buxheti për vitin 2023.

E kjo sipas Qeriqit ka ndodhur pa asnjë paralajmërim.

“Ka kaluar afati, kështu që kemi kërkuar një sqarim se pse janë bë këto ndryshime apo veprime, pa na njoftuar, që me qenë në dijeni që me mujt me paku qoftë si raste sociale apo diçka tjetër, por deri sot nuk kemi marrë ndonjë përgjigje. Duhet që ta sqarojmë që veteranët nuk janë përfshirë përveç invalidëve, familjeve të dëshmorëve dhe viktimat civile. Tash subvencionimi maksimumi 140 euro, ndonjëherë në rotacion ka shkuar edhe herë 120 euro, herë 140 në vit. Do të thotë ky subvencionim është bërë qysh prej kur është miratuar Ligji për këto kategori , është neni 6 që nuk gabojë pika 2 e këtij Ligji, e cila na ik ka garantu. Tash a ka pësuar ndryshime Ligji dhe ne nuk jemi njoftuar, apo janë marr vendim për mospagesa të këtyre subvencioneve nuk e di”, ka thënë ai.

Qeriqi tha për Express se kanë pritur që pagesat të kryhen këtë muaj por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Këtë vit nuk janë kryer pagesat. Nuk jemi subvencionuar këtë vit. Tash po përfundon viti. Ne kemi pritur hajt në këtë muaj mos po kryhet, dhe në fund e kemi kuptuar qe Qeveria e ka hequr atë buxhet prej Departamentin për Familjet e Dëshmorëve dhe nuk na ka subvencionuar , pra nuk ka planifikuar buxhet për subvencionim në buxhetin e vitit 2023”, ka thënë ai.

Postimi i plotë i Muratit:

Lajmet e rreme nuk kalojnë!

Është e pavërtetë që Qeveria ka përjashtuar ndonjë kategori nga subvencionimi i energjisë elektrike.

Përkundrazi, me programin e ri synimi është që të zgjerohet lista e familjeve që mbështeten, si dhe subvencionimi të jetë në bazë të të ardhurave, pra sa më pak të ardhura, aq më i lartë subvencionimi. Programi i ri është në fazën e pilotimit, dhe kemi paraparë edhe një fazë/grup aplikimesh ku pritet të trajtohen sfidat që kemi hasur gjatë fazës/grupit të parë.

Si Ministri, kemi lëshuar komunikata me sqarimet e nevojshme, por, se sa u është dhënë jehonë nga disa prej mediave, është për t’u diskutuar. Pikërisht për këtë e kishte fjalën Kryeministri para ca ditësh kur tha se masat dhe veprimet e Qeverisë nuk po përçohen si informata tek qytetarët nga disa media.

Një tjetër argument i thënë në këtë lajm e që nuk qëndron ishte se invalidët e luftës përjashtohen me automatizëm sepse pensioni i tyre është së paku 225 euro, dhe kësisoj e tejkalojnë nivelin e përcaktuar prej 150 euro për kualifikim.

Së pari, siç edhe mund të shihet në vendim (foto 2), të ardhurat nga pensionet invalidore janë të përjashtuara nga llogaritja, dhe rrjedhimisht nuk përjashtohet askush për shkak se merr pension invalidor.

Por edhe nëse dikush ka të ardhura tjera nga biznesi apo nga paga, atëherë ato të ardhura përllogariten dhe përpjestohen me numrin e anëtarëve të familjes dhe përderisa mesatarja për anëtar është më pak se 150 euro/muaj, atëherë familja kualifikohet për subvencionim. Shembull: një veteran invalid i luftës, përveç pensionit mund të ketë të ardhura nga paga 400 euro/muaj, por nëse janë 5 anëtarë të familjes, atëherë mesatarja për anëtar i bie 80 euro/muaj, e që është nën tavanin prej 150 euro/muaj, dhe rrjedhimisht kualifikohet për subvencionim.

PS. Tani sa i përket programit:

Siç edhe e kemi thënë, ky program i zgjeruar i mbështetjes, sivjet është në fazën e pilotimit, dhe normalisht që do të ketë sfida gjatë implementimit. Prandaj edhe aplikimin e trajtimin e kemi bërë në disa grupe/faza.

Në grupin e parë kanë aplikuar afër 50 mijë familje, mirëpo një numër i konsiderueshëm i aplikimeve kanë gabime në shifrën e njehsorit, ose gjatë plotësimit të të dhënave tjera. Prandaj nevojitet që të ripërsërisin aplikimin me grupin e dytë, që do ta hapim së shpejti.

Gjithashtu, nga të dhënat kemi kuptuar që një numër i konsiderueshëm i familjeve që kanë përfituar nga subvencionimi në të kaluarën, nuk kanë aplikuar fare. Kjo len të kuptohet që informata nuk ka arritur tek të gjithë, dhe do të synojmë që ta përmirësojme këtë përgjatë grupit të dytë.

Prandaj kërkojmë edhe mirëkuptimin e qytetarëve, por edhe të mediave, përfshirë edhe median e përmendur në këtë postim, që bashkërisht të bëjmë më të mirën e mundshme sa i përket informimit dhe lehtësimit të procesit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img