Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “janë të fryra”, prandaj ka paralajmëruar se me ligjin e ri do bëhet një verifikim.
“Këta numra të cilët figurojnë që nuk janë numra të saktë, me fjalë të tjera është fryrë numri”, tha Murati derisa ka prezantuar buxhetin për vitin e ardhshëm në Komunën e Gjakovës
Për Muratin, ligji aktual ka mundësuar që të rritet kaq shumë numri i veteranëve.
“Si qeveri ne kemi bërë një dizajn të hapave se çka duhet të bëhet, pra kemi kërkuar që me një ligj të ri të bëhet një verifikim i cili na mundëson që ketë një trajtim të dinjitetshëm dhe një ri-kategorizim”.
“Nuk mund të ketë barazim për gjithë ato kategori siç e parasheh ligji aktual, i cili ka mundësuar që të rritet numri kaq shumë”, shtoi ai.
Ai ka potencuar se “dikush mund t’i këtë kushtet e mira e dikush nuk ka kulm mbi kokë”, derisa ka shtuar se “synimi ynë është të ofrohet mbështetje e nevojshme që të ketë një jetë të dinjitetshme secili që ka dhënë kontribut në këtë vend”.
Murati ka treguar se si qeveri kanë bërë disa hapa që të vijnë në një gjuhë të përbashkët me shoqatat e dala nga lufta dhe subjektet opozitare.
“Deri më tani ka një distancë në atë se ku duam të arrijmë pasi në të kaluarën mënyra se si janë dizajnuar ligjet dhe mënyra se si kanë shkuar proceset, po besoj që e dini gjithë që nuk ka shkuar gjithçka siç është dashtë”.
Gjatë muajit qershor organizatat e OVL të UÇK-së patën protestuar para Kuvendit për të shprehur pakënaqësinë e tyre me miratimin në lexim të parë të ligjit që e përjashton kategorinë e tyre nga rritja e pagës minimale.
Një veteran i luftës aktualisht paguhet 170 euro. Sipas projektligjit të cilin e votuan shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës paga minimale do të jetë 264 euro ndërsa aktualisht është 130 dhe 170 euro.