Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se në vizitën zyrtare në SHBA bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi kanë arritur një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar për program të ri mbështetës në vlerë deri në 260 milionë euro.
:Gjatë qëndrimit në takimet pranverore në Ëashington D.C. bashkë me Zv. Kryeministrin Besnik Bislimi, kemi arritur të përmbyllim me sukses diskutimet për një program të ri mbështetës nga Fondi Monetar Ndërkombëtar”, tha Murati.
Sipas tij, programi i ri përfshin vënien në dispozicion fillimisht të shumës prej 80 milionë euro në kuadër të instrumentit më të ri të FMN-së të quajtur Resilience and Sustainability Fund dhe me mundësinë e zgjerimit për edhe 80 milionë euro tjera.
Në momentin e miratimit nga Bordi i FMN-së, Kosova, sipas Muratit, do të bëhet vendi i parë në Evropë që do të përfitojë nga ky lloj programi me FMN-në.
Mjetet nga programi RSF pritet t’i vihen në dispozicion Kosovës për investime në ndërtim të kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtërishme me erë dhe diellore. Pjesa tjetër e mbështetjes do të jetë në formën e një Aranzhimi për Gatishmëri (precautionary SBA) në vlerë prej 100 milionë euro për 2 vitet e ardhshme.
Për këtë, Murati i atribuon suksesin vetes dhe tha se kjo dëshmon vlerësim të reformave të Qeverisë.
“Pikënisje për këtë arritje ka qenë suksesi në konsolidimin e shpejtë të financave publike, dhe vendimmarrja e matur fiskale. Kjo është edhe një dëshmi që reformat tona po vlerësohen edhe nga institucionet ndërkombëtare si FMN. E falënderoj të gjithë ekipin që kanë punuar shumë në përgatitjen e këtij programi”.