Site icon PrishtinaPress

Munter: Dialogun e rëndon fakti që kosovarët zgjodhën Kurtin, ai s’e ka prioritet kryesor, siç nuk e ka Washingtoni dhe Beogradi

Ish-ambasadori i SHBA-së në Beograd, Cameron Munter, në një intervistë për Zërin e Amerikës, edicionin në gjuhën serbe, ka folur për negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë. I pyetur se kur pritet të zgjidhet një problematikë e tillë, Munter ka thënë se Administrata aktuale amerikane nuk e ka në krye të listës këtë çështje, në mënyrën se si Presidenti Trump e përdori atë për të arritur një fitore në planin e brendshëm duke i bërë bashkë në Shtëpi të Bardhë, Hashim Thaçin sa ishte president dhe kreun e shtetit të Serbisë, Aleksander Vucic.

“Nuk e shoh si një çështje kryesore, si në vitet e kaluara, në mënyrën se si e përdori Presidenti Trump në përpjekje për të arritur fitoren të brendshme duke sjellë Thaçin dhe Vuçiqin në Shtëpi të Bardhë. Unë nuk mendoj që administrate aktuale dëshiron një teatër të tillë, sepse, në opinionin tim ashtu ishte”, ka thënë Munter për Zërin e Amerikës.

Tutje diplomati amerikan thotë se një nga faktorët rëndues të procesit të dialogut është fakti që kosovarët e kanë zgjedhur për kryeministër, Albin Kurtin, i cili negociatat me Serbinë nuk i ka si prioritet kryesor. 

“Një nga faktorët rëndues është që qytetarët e Kosovës e kanë mbështetur në zgjedhje, Albin Kurtin, i cili nuk i rendit lartë negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai fillimisht nënvizon punësimin, luftën kundër korrupsionit, futjen e  Kosovës në botën evropiane dhe adoptimin e modeleve të sjelljes evropiane”, ka thënë Munter.

 “Ai përdor moton se pavarësisht faktit se Serbia nuk dëshiron të ndihmojë, nuk duhet të jetë i shqetësuar për një gjë të tillë. Nuk do ta dija se deri në çfarë mase një gjë e tillë është konstruktive, pro e bën të vështirë takimin në mes të dy liderëve të cilët duhet të bëjnë koncesione të dhimbshme”, ka shtuar tutje Munter. 

Ai tutje thotë se qëndrimi i Donfried (diplomatja amerikanë që vizitoi të hënën dhe të martën Kosovën), se pret që dialogu të bazohet në njohje reciproke, nuk është atraktiv për Aleksander Vucic, por sigurisht që është për Albin Kurtin.

“Kështu, unë do të thoja që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk është afër ndonjë hapi përpara. Dhe ndoshta në plan të parë do të jenë iniciativat nga fusha të tjera – të mbrojtjes, gjeopolitike, ekonomike”, ka potencuar ish-ambasadori amerikan.

I pyetur se nëse mund të pritet një zgjidhje për Kosovën dhe Serbinë Brenda pesë vjetësh, Munter ka thënë se nuk do të flasë për afate kohore, meqë lidershipi aktual në Kosovë s’ka shprehur ndonjë urgjencë për këtë çështje siç kishin bërë udhëheqësit e mëhershëm. E njëjta gjë është edhe me palën serbe.

“Gjë e ngjashme ka qenë e pranishme edhe në Serbi. Ky nuk është rasti në asnjërën anë në këtë kohë dhe nuk do të mund të parashikoja ndonjë afat kohor”, ka potencuar Munter.

Exit mobile version