4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Munsch: Gjendja e sigurisë në Kosovë e brishtë, shqetësim retorika nxitëse politike

Komandanti i marinës amerikane për Evropën dhe Afrikën dhe komandant i forcave të NATO-s në bazën e Napolit, admirali amerikan, Stuart B. Munsch në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se situata e sigurisë në Kosovë është e qëndrueshme, por e brishtë, duke theksuar se shqetësimi kryesor aktualisht është retorika nxitëse politike “që mund të frymëzojë palët e pakënaqura të ndërmarrin veprime të dhunshme”. 

Zëri i Amerikës: Admiral Munsch, në deklaratat tuaja të premten ju paralajmëruat qeverinë e Kosovës të përmbahet nga ato, që sipas jush, janë “vendime të njëanshme” që përshkallëzojnë tensionet dhe dëmtojnë reputacionin e një partneri të besueshëm ndërkombëtar. A mund të na sqaroni se çfarë nënkuptoni me këtë deklaratë?

Admiral Munsch: Në fakt, ajo që thash vlen për të gjitha qeveritë. NATO-ja është neutrale sa i përket rrethanave këtu. Të gjitha qeveritë duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të shfrytëzojnë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Është mënyra më e mirë për të zgjidhur dallimet dhe për të krijuar stabilitet të përhershëm.

Zëri i Amerikës: NATO-ja ka shtuar forcat e saj në terren, me trupa dhe pajisje, që pas incidentit në Banjskë vitin e kaluar dhe në pritje të tensionimit të mëtejshëm që vazhdoi gjatë tërë vitit të fundit. Cilat janë kërcënimet kryesore ndaj sigurisë në Kosovë?

Admiral Munsch: Ne shtuam numrin e forcave dhe gjithashtu të armëve dhe pajisjeve që ata i sollën me vete për të parandaluar raste të tjera dhune. Viti 2023 ishte viti më i dhunshëm në Kosovë në dy dekadat e fundit, bashkë me sulmin ndaj forcave të KFOR-it në muajin maj dhe pastaj me sulmin tjetër në shtator, gjatë të cilit u zbulua një sasi e madhe armësh. Shtuam numrin e forcave, në mënyrë që KFOR-i të jetë në gjendje të mbrohet dhe po ashtu të jemi të gatshëm të ndërhyjmë në raste të një lufte mes dy shteteve.

Aktualisht shqetësimi kryesor është retorika nxitëse politike në këtë periudhë, që mund të nxisë qoftë aktorë individualë apo aktorë joshtetërorë të ndërmarrin veprime të dhunshme, për të shfaqur pakënaqësitë e tyre.

Zëri i Amerikës: Për çfarë aktorë e keni fjalën?

Admiral Munsch: Mund të jenë grupe kriminale, mund të jenë aktorë individualë, mund të jenë nga shtetet të jashtme apo mund të jenë operativë të zonës gri, që mbështeten nga shteti.

Zëri i Amerikës: Sa jeni të shqetësuar për situatën e sigurisë që rrethon misionin e KFOR-it, Kosovën dhe shtetet e rajonit?

Admiral Munsch: Situata është e qëndrueshme tani, por e brishtë. Është e qëndrueshme ngaqë i kuptojmë rrethanat dhe i kemi forcat në terren. Por brishtësia buron nga fakti që këtu dhuna mund të shpërthejë shumë shpejt. Sërish, shqetësimi kryesor aktualisht është retorika nxitëse politike që mund të frymëzojë palët e pakënaqura të ndërmarrin veprime të dhunshme.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img