Trajneri Ismet Munishi, që tani po punon si analist, ka reaguar pas ndeshjeve që përfunduan në Superligën e Kosovës.
Drita mposhti Prishtinën, Ballkani fitoi te Malisheva, ndërsa Llapi bëri gabimin e radhës në garën për titull duke dështuar te Gjilani.
Këto rezulate për disa tifozë edhe mund të kenë qenë të pritshme, me Munishin që ka ironizuar, duke e quajtur Superligën si ‘Gullash Liga’.
“Dje dhe pardje u kënaqem me Ligën e Kampionëve me emocione dhe ndeshje fantastike, sot rikthehemi te realiteti ynë i hidhur futbollistik Gullash Liga”, shkroi Munishi.
Ballkani tani është lider i vetëm në Superligën e Kosovës pas 33 xhirove të zhvilluara duke mbledhur 69 pikë, katër mbi Llapin e Dritën.
“Xhebrailat” tani padyshim janë favorit i padiskutueshëm që ta mbrojnë titullin kampion për herën e tretë radhazi.
Kujtojmë, Ballkani ndodhet edhe në finalen e Kupës së Kosovës – ku do të përballet me Prishtinën.