Reparti i Kirurgjisë në Spitalin e Mitrovicës së Jugut shkaku i mungesës së hapësirës është duke funksionuar më një hapësirë tejet të vogël. Brenda këtij reparti ku marrin trajtim banorët e tri komunave, janë vetëm 14 shtretër. Kirurgët në këtë spital thonë të kenë të vështirë funksionimin.
Dy klinika me rëndësi janë duke funksionuar brenda një reparti të vetëm në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës.
Reparti i Kirurgjisë, me vetëm katër dhoma, por prej tyre dy shfrytëzohen për një klinikë tjetër, atë të Ortopedisë.
Kirurgu Fatbardh Rexha, pjesë e klinikës tash e disa vite, shpjegon që në këtë hapësirë kaq të vogël, është vështirë të funksionohet.
“Hapësirat ku ne punojmë janë shumë të papërshtatshme. Në repartin e kirurgjisë operon edhe ai i ortopedisë, ne i kemi 14 shtretër dhe në këto kushte brenda vitit ne i kryejmë mbi njëmijë operime e që bëhen nga pesë kirurg. Kjo e rrezikon punën”, ka thënë Rexha.
Në këtë repart nuk ka as dhomë të intensivës, e që sipas kirurgut Rexha paraqet rrezik për pacientët.
“Neve na mungon një repart i intensives ne pasi intervenojmë pacientin e dërgojmë direkt në dhomën e pacienteve e që nuk duhet të jetë ashtu. Alarmante për ne është mungesa e hapësirës. Na ndodh shpesh që pacienti me qëndrua ulur në karrige derisa të lirohet një vend. Brenda një viti ka kirurgë që kryen mbi 200 operacione”, ka shtuar Rexha.
Se nuk i plotëson kushtet për të funksionuar si repart, e pranon edhe vet drejtoresha e spitalit.
“Objekt ushtarak ka qenë ky spital dhe pas luftës ka shërbye për pjesëtar të NATO-së, ne jemi mundu më adaptua deri diku t’i plotësoj nevojat e spitalit. Ne jemi duke I bërë disa projekte se bashku më SSHKUJK-në që të kemi hapësira më shumë pasi më herët kemi pasur vetëm një ortoped derisa tash kemi më shumë”, ka thënë Luljeta Zhubi në Tv Dukagjini.i/PrishtinaPress/