Me kërkesë të prokurorit special, Atdhe Dema, i cili gjendet në Kroaci, mbrojtësit të Pal Lekajt, avokatit Arianit Koci, i cili është në Hagë dhe mbrojtësit të akuzuarit Ismet Isufi, avokatit Bajram Morina, i cili ishte i angazhuar në tjetër seancë, është shtyrë seanca e rigjykimit e paraparë që të mbahet të mërkurën, në rastin ku ish-kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, po akuzohet për korrupsion.
Lekaj akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për kohën sa ka qenë në krye të kësaj komune.
Bashkë me ish-kryetarin Lekaj, për keqpërdorim të pozitës po akuzohet edhe ish-zyrtarët komunal, Ismet Isufi dhe Gani Rama, ndërsa për mashtrim me subvencione po akuzohet Veli Hajdaraga.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika, njoftoi se kjo seancë është shtyrë pasi që prokurori special, Atdhe Dema, gjendet në një trajnim në Kroaci, avokati Arianit Koci në Hagë, ndërsa avokati Bajram Morina i angazhuar në një seancë tjetër në Prishtinë.
Në këto rrethana, seanca e paraparë që të mbahet të mërkurën është shtyrë për 8 nëntor 2021.
Në shkurt të këtij viti, Gjykata Themelore në Gjakovë, e kishte dënuar Lekajn me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht. Të akuzuarin Rama e kishte dënuar me 1 vit burgim me kusht, ndërsa i akuzuar Isufi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht. Ndaj tyre ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, që përfshinte ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose në shërbime publike në kohëzgjatje prej 2 vitesh.
Ndërsa, ndaj të akuzuarit Veli Hajdaraga për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi ishte shqiptuar dënimi unik me gjobë në shumën prej 8 mijë euro, si dhe dënimi me burgim me kusht prej 1 viti. Po ashtu, ishte obliguar që në emër të dëmit të shkaktuar t’ia kompensojë ATK-së shumën totale prej 24 mijë e 718 euro e 59 centë.
Katër të akuzuarit ishin obliguar që Komunës së Gjakovës t’ia kompensojnë dëmin në shumën prej 69 mijë e 786 euro.
Mirëpo, Apeli e ka prishur këtë aktgjykim të gjykatës së shkallës së parë dhe e ka kthyer rastin në rigjykim.
Apeli e ka lënë në fuqi vetëm pjesën e dënimit për shmangie nga tatimi për të akuzuarin Veli Hajdaraga, duke ia vërtetuar dënimin prej 3 mijë euro gjobë dhe 1 vit burgim me kusht, si dhe e ka obliguar t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar ATK-së.
Në aktgjykimin e Apelit thuhet se ka paqartësi për kohën se kur janë kryer veprat penale të pretenduara nga ana e ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, ish-zyrtarëve komunal, Gani Rama dhe Ismet Isufi dhe të akuzuarit Veli Hajdaraga.
Në gusht të vitit 2019 lënda e të akuzuarit Gani Rama ishte bashkuar me lëndën e Pal Lekajt dhe të tjerëve pas propozimit që kishte bërë prokurori special, Atdhe Dema që këto dy lëndë të bashkoheshin me arsyetimin se këto çështje janë të njëjta dhe të ndërlidhura, raporton “Betimi për Drejtësi”.