7.7 C
Pristina
Friday, November 29, 2024

Buy now

spot_img

Mungesa e votave mund ta shtyjë sërish votimin e demarkacionit

Kuvendi i Kosovës pritet që këtë të mërkurë në seancën e radhës të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

E krerët e institucioneve janë të bindur se çështja e demarkacionit do të marrë fund këtë të mërkurë, kjo pas arritjes së marrëveshjes në mes partnerëve të koalicionit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por, pavarësisht kësaj në një përllogaritje të thjeshtë, nëse PDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe LDK-ja bashkë me pakicat joserbe në Kuvend, e votojnë marrëveshjen, megjithatë nuk sigurohen ende 80 votat e kërkuara.

Të gjitha këto subjekte së bashku kanë 78 vota gjithsej. Andaj, ratifikimi i Demarkacionit mbetet ende i varur edhe nga 2–3 vota që duhet të sigurohen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Madje zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli në një deklaratë tij ka thënë se demarkacioni votohet në mars e jo këtë të mërkurë.

“Do të ishte një mrekulli nëse do të ndodh miratimi i kësaj marrëveshje ditën e mërkurë. Unë po frikësohem se është herët. Kundër dëshirës time por unë e shoh javën e dytë të marsit si kyçe për këtë”, deklaroi ditë më parë Pacolli.

E të njëjtin mendim me Pacollin e ndan edhe Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Në një prononcim për Telegrafin, Krasniqi ka deklaruar se përfshirja e raportit të komisionit të Bulliqit në Projektligjin për demarkacion është e gabuar. Sipas tij, marrëveshja është hartuar në mënyrë të njëanshme nga Qeveria e Kosovës.

“Përfshirja qoftë edhe vetëm për qëllime orientuese e dokumentacionit të komisionit Bulliqi në projektligj është e gabuar. Kjo marrëveshje është hartuar në mënyrë të njëanshme nga Qeveria e Kosovës, për të cilën nuk ka pajtueshmëri me Malin e Zi. Prandaj si e tillë nuk ka asnjë vlerë juridike por vetëm është bërë për qëllime të konsumit të brendshëm dhe ka vendosur precedent të keq në praktikën parlamentare”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar se gjasat që kjo marrëveshje të kalojë këtë të mërkurë janë shumë të vogla.

“Sidoqoftë, marrëveshja e arritur ndërmjet LDK-së dhe partive politike në pushtet për Projektligjin për demarkacionin me Malin e Zi nuk është e mjaftueshme për të ratifikuar të njëjtën në Kuvend. Këto parti politike së bashku kanë 78 deputetë, dy më pak sesa numri i nevojshëm që kërkohet për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Është patjetër e nevojshëm që të pakën edhe dy deputetë të tjerë të përkrahin këtë marrëveshje, qoftë nga grupi parlamentar i Listës Serbe, në mesin e të cilëve është edhe përfaqësuesi i komunitetit goran, apo nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje. Bazuar në situatën e tanishme, gjasat janë të mëdha që marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi të mos mund të ratifikohet as në seancën e paraparë për ditën e mërkurë”, theksoi Krasniqi.

Në anën tjetër, kryeparlamentari Kadri Veseli është shprehur i bindur se pas gjetjes së konsensusit me partitë shqiptare të mërkurën do të kalojë Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img