-3.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Mungesa e votave e çon Demarkacionin drejt Gjykatës së Arbitrazhit

Arbitrazhi ndërkombëtar për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi mund të vijë në shprehje si opsion real nëse Kuvendi i Kosovës dështon përfundimisht që ta ratifikojë Marrëveshjen për Demarkacionin.

Aktualisht, jo vetëm opozita, por edhe një numër i konsiderueshëm i deputetëve nga radhët e partive në pushtet nuk po e mbështesin marrëveshjen aktuale, me bindjen se shënjimi i vijës kufitare është bërë në dëm të territorit të Kosovës.

Nisur nga klima jo e mirë politike e krijuar në Kuvend, nënkryetari i këtij institucioni Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se zgjidhja më e mirë do të ishte përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Ai nuk beson që insistimi i qeverisë për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje do të sjell ndryshimin e qëndrimit të deputetëve.

“Qeveria mund ta sjell marrëveshjen, por unë jam skeptik që ajo mund të ratifikohet, për shkak se qeveria nuk i ka votat në Kuvend. Duke pasur parasysh se nuk janë votat e mjaftueshme për ratifikim, mendoj se kjo marrëveshje do të prodhojë situata të pakëndshme”, thotë Haliti për Radion Evropa e Lirë.

Çështja e Demarkacionit, ka thënë tutje deputeti Xhavit Haliti, është politizuar tepër. Andaj, zgjidhja, sipas tij, duhet gjetur jashtë kuvendit, përkatësisht tek Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, e cila ka selinë në Hagë.

“Unë mendoj që politikisht, në interes të Kosovës është që të ketë një marrëveshje me Malin e Zi dhe çështja të shkoj në arbitrazh dhe Bashkimi Evropian, qoftë Komisioni Evropian apo Parlamenti Evropian, si përgjegjës për liberalizimin e vizave ta shtyjnë përpara të drejtën e kosovarëve për liberalizimin e vizave. Kurse çështjen e Demarkacionit ta merr për ta zgjidhur Gjykata e Arbitrazhit”, thotë Haliti.

Në anën tjetër, edhe analisti Arben Qirezi, thotë se nëse Kuvendi i Kosovës nuk e ratifikon marrëveshjen për Demarkacionin, atëherë qeveritë e Kosovës dhe Malit të Zi mund të dakordohen që çështja t’i procedohet Gjykatës së Arbitrazhit.

Një zhvillim i tillë, nënvizon Qirezi, tashmë është parë në rajonin e ish-Jugosllavisë, në rastin e Sllovenisë dhe Kroacisë. Por, fillimisht, ai preferon që të dy vendet të shohin edhe mundësinë e rishikimit të marrëveshjes aktuale.

“Kjo do të ishte zgjidhja, nëse palët, në këtë rast Kosova dhe Mali i Zi, nuk vendosin që të formojnë komisione të reja, përkatësisht një komisioni të ri nga pala kosovare, në mënyrë që të rishikohet edhe njëherë i gjithë procesi dhe të nis edhe njëherë nga fillimi edhe një procedurë e re për përcaktimin e vijës kufitare”, ka thënë Qirezi për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi, thotë se Kosova fillimisht duhet ta ketë një qëndrim zyrtar nëse e pranon apo jo Marrëveshjen e arritur me Malin e Zi, në mënyrë që më pastaj të ndiqen procedurat tjera.

Ky qëndrim, nënvizon Krasniqi, arrihet përmes procedimit të Marrëveshjes për ratifikim në Kuvend nga ana e qeverisë. Në rast se sërish nuk ka vota dhe dështon ratifikimi i saj, atëherë vijnë në shprehje opsionet tjera, thekson ai.

”Në rast se deputetët paraqesin shqetësimet e tyre dhe nuk pajtohen me këtë vijë kufitare dhe votohet kundër, atëherë është mirë që Kosova zyrtarisht të shoh mundësinë e rishikimit të marrëveshjes me Malin e Zi, duke paraqitur fakte të reja për një vijë të re kufitare”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Mali i Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, por jo edhe Kosova.

Andaj, tani Prishtina mund të jetë e detyruar që t’i drejtohet sërish Podgoricës me kërkesën që të gjejnë forma tjera të zgjidhjes.

Zgjidhja më e mirë, sipas analistëve do të ishte që Prishtina dhe Podgorica së bashku ta adresojnë çështjen tek arbitrazhi ndërkombëtar. Por, nëse nuk ka pajtim, atëherë, sipas analistëve, mbetet që njëra apo tjetra qeveri të kërkoj arbitrazh ndërkombëtar në lidhje me shënjimin e vijës kufitare.

Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, i është vënë Kosovës si kusht i pashmangshëm për liberalizimin e vizave nga ana e Komisionit Evropian. (REL)

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img