1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Mungesa e Kurtit në konsultimet e Osmanit për datën e zgjedhjeve – a është sinjal i tensioneve mes tyre

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i filloi të mërkurën konsultimet me partitë politike në vend për të arritur një marrëveshje për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Duke folur në një konferencë për media pas takimit në Prishtinë, Osmani tha se gjatë takimit me krerët e partive politike parlamentare – ku munguan ai i partisë në pushtet Vetëvendosje dhe ai i Listës Serbe – janë pajtuar që të bëhet analizimi i të gjitha datave dhe elementeve përkatëse për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Ky vendim nuk është marrë sepse duhet t’i analizojmë diskutimet që i kishim me kryetarët e partive”, tha Osmani gjatë konferencës për media pas takimit.

Sipas afateve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, Kosova mund të mbajë zgjedhje të rregullta më 26 janar, 2, 9 ose 16 shkurt.

Osmani tha se partitë kishin preferenca të ndryshme sa i përket datës për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Nuk kishte insistim të tepërt nga partitë, kishte më shumë preferenca… Disa parti preferuan 26 janarin, tri a katër të tjera që preferuan 9 shkurtin, dy a tri tjera 16 shkurtin. Dhe, kishte parti të tjera që nuk kishin fare preferenca”, u shpreh Osmani.

Osmani tha se aktualisht janë brenda afatit të konsultimeve për caktimin e datës për zgjedhje.

“Mirëpo, nga data 26 korrik e tutje, presidentja fiton të drejtën edhe ta bëjë shpalljen e zgjedhjeve, kështu që afatet veçse ekzistojnë”, theksoi ajo.

Në takimin konsultativ të thirrur nga Osmani, nuk ishin të pranishëm zyrtarët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, por as ata të partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Lista Serbe.

E pyetur për mospjesëmarrjen e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në takimin konsultativ, presidentja Osmani tha se nuk i di arsyet.

“Të gjitha partitë kanë qenë të ftuara në nivel kryetarësh dhe nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjuca, shprehu gatishmëri të vijë në takim. Mirëpo, meqë krejt partitë ishin të njoftuara se ky takim konsultativ është vetëm për nivel kryetarësh, këtë parim e kemi mbajtur për të gjithë dhe ai e zbatoi me mirëkuptim. Kryetari i LVV-së nuk ka qenë në takim. Ne nuk i dimë arsyet. Mund ta pyesni atë drejtpërdrejt. Mund të shkoni në zyrën e tij dhe ta pyesni”, u shpreh Osmani.

Kabineti i Kurtit njoftoi se Kurti mori pjesë si mysafir nderi në drekën e ftuar nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me ambasadorë të akredituar të vendeve të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate për Bashkim Evropian në Kosovë.

Partitë opozitare kanë kërkuar që zgjedhjet të mbahen më 26 janar.

Viti 2025 do të jetë vit i rregullt zgjedhor dhe nëse partitë vendosin që të mbahen zgjedhje të rregullta dhe jo të parakohshme, atëherë Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të bëhet Qeveria e parë që nga shpallja e pavarësisë, që do të përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar, raporton REL.

Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img