Thomas Ceccon, notari italian në fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Paris 2024” për 100 metra not shpine, po bën xhiron e rrjetit me videon e fundit të postuar.
Ai shfaqet i shtrirë në një park duke fjetur gjumë mbi një peshqir, duke simbolizuar degradimin e fshatit Olimpik, një vend ku, sipas shumë atletëve, është e pamundur të jetosh me mungesën e ajrit të kondicionuar, ushqimin e pakët dhe shtretërit prej kartoni.
Ceccon gjithashtu u ankua përpara disa ditëve sa i përket kushteve që ai po përjeton në këtë fshat: “Nuk ka ajër të kondicionuar, është vapë, ushqimi është i keq. Shumë atletë lëvizin për këtë arsye. Nuk është një alibi apo justifikim, është realiteti i asaj që ndoshta jo të gjithë e dinë”.
Madje, federata italiane e notit FIN është detyruar të sqarojë se video e Cecconit në gjumë nuk ka lidhje me komentet e tij të mëparshme për fshatin Olimpik.
Ata i thanë agjencisë së lajmeve ANSA se ishte thjesht një sy gjumë, duke theksuar gjithashtu se klipi është filmuar gjatë ditës.
Megjithatë, Ceccon nuk është i vetmi që është ankuar për kushtet e këtij fshati, pasi edhe Gregorio Paltrinieri, i cili së fundmi fitoi medaljen e argjendtë në 1500 metra dhe medaljen e bronztë në 800 metra, tha: “Kam marrë pjesë në katër Olimpiada dhe ky është fshati më i keq që kam parë. Asnjëherë nuk më zë gjumi në dhomën time, është shumë vapë. Ne jemi protagonistët këtu dhe është e paimagjinueshme të mos kemi ajër të kondicionuar nëpër dhoma”.