Site icon PrishtinaPress

Muja: Opozita bën propagandë ndaj Qeverisë Kurti për kontratat e negociuara

Deputeti i LVV-së, Armend Muja, ka thënë se opozita është duke drejtuar akuza të pavërteta ndaj Qeverisë Kurti për kontratat njëburimore.

Në emisionin DPT Fidani në Klan Kosova, ai ka thënë se këto kontrata nuk janë të paligjshme, dhe se kontrata të tilla realizojnë edhe institucionet tjera të pavarura, komunat dhe ndërmarrjet publike, sipas tij, këto nuk drejtohen nga Qeveria Kurti.

“Në këtë luftën me çdo mjet ndaj Qeverisë Kurti është bërë një farë propagande për këto kontrata e negociuara,  këta opozita po u thonë kontrata një burimore dhe ishte e nevojshme që të korrektohen shifrat sepse ka pasë gënjeshtra kështu të mëdha”, ka thënë Muja.

“E para u referohen kontratave të negociuara, këto nuk janë të paligjshme domosdoshmërish, i parasheh ligji, me nenet 34 dhe 35 të Ligjit për Prokurim Publik parashihet që organizatat buxhetore, autoritetet kontraktuese, nëse i plotëson kriteret ligjore nuk është domosdoshmërish e paligjshme, por këta e kanë krijuar përshtypjen sikur ato janë të paligjshme”.

“Ata thonin se janë kontrata të kafeve dhe rrjedhimisht neve na duhet t’i korrektojmë tash, duhet me i pa gjërat si janë, do të thotë bilanci përfundimtar. Çfarë kanë dashtë të thonë është se çfarëdo kontrate që nënshkruhet në Kosovë, autoritetet publike në Kosovë i nënshkruajnë afro 10 mijë kontrata në vit diku në vlerë të 800 milionë eurove aty nuk janë vetëm qeveria dhe ministritë, por janë edhe qeveria, ministritë, komunat, ndërmarrjet publike qendrore, ndërmarrjet publike lokale, institucionet e pavarura, do të thotë lloj lloj organizatash jo që i përgjigjen qeverisë domosdoshmërish. Edhe kjo është e para të sqarohet, çfarëdo kontrate që është nënshkruar këta ia kanë faturuar Qeverisë Kurti, kanë dashtë t’ia faturojnë Qeverisë Kurti”, ka pohuar Muja.

Exit mobile version