Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja tha se nuk do ta dërgojnë draft-statutin e Asociacionit, në Gjykatën Kushtetuese në këmbim të anëtarësimit në KiE.
“Është e rëndësishme që vende si Serbia mos të kenë veto mbi të ardhmen demokratike të të gjitha vendeve në rajon, përfshirë edhe të Kosovës. Unë besoj që Kosova i ka përmbushur kushtet dhe me datën 17, siç është lajmëruar votimi, ne duhet të besojmë që Kosova do të jetë anëtare e re e Këshillit të Evropës…. Përgjigja është jo (për dërgimin në Kushtetuese)”, u shpreh Muja.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se votimi i raportit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës nuk ka asnjë parakusht.
“Ne si delegacion i Kosovës në Këshillin e Evropës kemi kryer punën tonë dhe konkluzioni ka qenë raporti që është votuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili nuk ka asnjë parakusht”, tha ai.
Sa i përket draft-statutit të Asociacionit, tha se nuk dëshirojnë të përfshihen në këtë temë.