Site icon PrishtinaPress

Muhaxhiri: Kosova në pozicionin e humbësit politik

Njohësi i proceseve politike, Artan Muhaxhiri, profesor i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se çështja e targave është shndërruar në një problem shumë të madh, sepse, sipas tij, nuk ka pasur vullnet për fleksibilitet dhe kreativitet politik të palëve.

Ai thotë se në proceset ku bëhet fjalë për marrëveshje delikate ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më të rëndësishme janë “raportet e pushteteve”.

“Dihet pushteti i Kosovës në raport me pushtetin e BE-së, të SHBA-së dhe faktorëve tjerë relevantë. Është krejtësisht e pakuptimtë se ku e ka marrë guximin kryeministri Kurti që të tentojë t’ua imponojë temën e planit franko-gjerman në atë mënyrë, kur dihet se me gradualitet milimetrik shkohet në raste të tilla”.

“Balancimet, harmonizimet duhet të jenë maksimale dhe shumëdimensionale, në mënyrë që të ketë avancime për çështje fundamentale”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se mosharmonizimi i vendimeve të Qeverisë së Kosovës me qëndrimet e SHBA-së dhe BE-së “lidhur me planin afatgjatë për çështjen e targave’, mund të kthehet në “bumerang të keq” për vetë Kosovën.

“Fatkeqësia më e madhe politike në këtë rast është se për herë të parë, pas 30 vjetësh, në njërin pol gjenden Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-ja dhe Serbia, kurse në polin tjetër, si kundërshtare e tyre, gjendet Kosova”.

“Pra, është krejtësisht e pafalshme që [Kurti] e ka sjellë veten në këtë pozicion humbës politikisht, sepse është absolutisht krejt e qartë se nuk mund të fitojë politikisht, nëse si kundërshtarë politikë i ka Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në”, thotë Muhaxhiri./Prishtinapress/

Exit mobile version