Site icon PrishtinaPress

Muhaxheri: LDK, ditët në vijim do të vendosë për tre deputetët që s’e votuan Qeverinë Hoti

Mospajtimet e nënkryetares së LDK-së, Vjosa Osmani me krerët partiakë, ka bërë që të shqyrtohet përjashtimi i saj nga partia. Se ka zëra brenda partisë për një veprim të tillë e thotë edhe nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxhiri.

Isa Mustafa ditë më parë në një emision televiziv tha se personat që dalin kundër vendimeve të partisë, statuti ua ndalon të kenë poste drejtuese brenda LDK-së.

E nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, thotë për KosovaPress se kryetari Isa Mustafa, asnjëherë nuk e ka zbatuar nenin 14 të statutit të partisë, ku flitet për përjashtime të atyre që kanë qëndrime të kundërta me partinë.

Se a do të ndodhë zbatimi i këtij neni, Muhaxheri thotë se mbetet të shihet në ditët në vijim.

“Nëse ish respektua neni 14 i statutit atëherë kish me prek shumë njerëz kjo pikë e statutit. Zotëri Mustafa nuk e ka zbatuar asnjëherë këtë pikë statuti, mbetët me pa ditëve në vijim se çfarë do të ndodhë”, tha ai.

Ndonëse thotë se nuk kanë biseduar brenda LDK-së për masat që do t’i ndërmarrin, Muhaxheri u shpreh se diskutimet kundrejt qëndrimeve të 3 deputetëve që nuk votuan qeverinë Hoti do t’i shohin ditëve në vijim.

“Jo nuk është biseduar për masat, ka zëra kritikë për qëndrimet e këtyre tre deputetëve ndaj Qeverisë që udhëheq sot Lidhja Demokratike. Po besoj që ditëve në vijim diskutimet do të shkojnë duke pasur arsye më të madhe dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha ai.

Kryetari i Pejës foli edhe për mundësitë e ndërtimit të autostradës së Dukagjinit, i për të cilën thotë se ndërtimi i saj mund të bëhet me fonde të BE-së.

“Në planin zhvillimorë komunal ne e kemi futur edhe projektin e autostradës së Dukagjinit. Ne si Lidhje Demokratike kemi menduar që edhe nëse ndërtohet, të ndërtohet me fonde të Bashkimit Evropian dhe mos ta rëndoj buxhetin e Kosovës”, deklaroi ai.

Kujtojmë se AAK-ja po këmbëngul në ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, teksa kryeministri Hoti ka deklaruar se ndërtimi i saj do të ndodhë, por jo këtë vit.

Exit mobile version