Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se në mbledhjen e kryesisë së kësaj partie është krijuar shtabi për zgjedhje parlamentare.
Haradinaj bëri të ditur se po ashtu në këtë mbledhje, me votë unanime është zgjedhur sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Muharrem Nitaj.
“Në këtë mbledhje po ashtu është diskutuar plani i aktiviteteve të Aleancës në terren, përfshirë edhe orientimet kryesore programore për fazën vijuese”.
“Një pikë e veçantë ishte informimi për situatën politike e të sigurisë, kjo në dritën e zhvillimeve të fundit, përfshirë edhe procesin e votimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, shkroi Haradinaj, transmeton Klankosova.tv.
AAK-ja, bashkë me partitë e tjera opozitare, tash e disa javë po e kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë Kurti, në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.