Muhamet Mavraj, organizator i protestave studentore të vitit 1997, po kërkohet nga shteti i Serbisë. Këtë e dëshmoi një person me të njëjtin emër, të cilin e kanë ndalur sot në kufirin Bullgari-Serbi.
Muhamet Mavraj, personi me emrin dhe mbiemrin e njëjtë me kryeredaktorin e “Epokës së Re”, ka rrëfyer se si është ndaluar nga policët kufitarë serbë për më shumë se dy orë.
Ai thotë se po kthehej nga Turqia, ndërsa në kufirin Bullgari-Serbi iu shfaq ky problem i papritur.
“Sot u ktheva prej rrugës. Por kah shkova, shkova nëpërmjet Kosovës, Maqedonisë, Bullgarisë dhe në Turqi me veturë. Kah u ktheva, navigacioni më qiti kah Serbia. Kur hyna në kufirin Bullgari-Serbi, më pyetën ‘a je ti Muhamet Mavraj?’. Thash po unë jam. Tha ‘ti je problem në sistem se je organizator i protestave e kështu’”, thotë fillimisht ai.
Muhamet Mavraj në krye të protestave studentore; i dyti nga e majta, pas Albin Kurtit
Më tej, ai tregon se si u mor në pyetje nga policët serbë dhe priti goxha në kufi, para se ta linin të vazhdojë.
“Thash shiqojeni, verifikojeni mirë se unë në atë kohë kam qenë i ri. Pastaj e morën pasaportën dhe diku 2 orë e 15 minuta ka zgjatë verifikimi. ‘Qysh e ka emrin nëna, baba, çka punon e çka ke dashtë në Turqi, ku studion e ku ke studiuar’. Në momentin që ia kam dhënë pasaportën, tha ‘ky është problem, s’bën me kalu’… Më pas e verifikuan dhe tha ‘qenket dy Muhameta, ai më i vjetër, ti më i ri’. Thash po. Pastaj e kam vazhdu rrugën për në Kosovë”, tha ai.Muhamet Mavraj, kryeredaktor i gazetës “Epoka e Re”