Site icon PrishtinaPress

MTI reagon për lajmet në lidhje me rezervat: Mos ngrisni tema që përhapin panik, të dhënat për rezervat shtetërore janë konfidenciale

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike ka reaguar ndaj publikimit të një lajmi në disa medie në lidhje me sasinë e grurit në rezerva dhe zhdukjen e një sasie nga rezervat shtetërore.

Kjo ministri në këtë reagim ka theksuar se vendndodhja e rezervave shtetërore është sekret shtetëror dhe të dhënat e tilla ruhen me konfidencialitet.

Publikimin e lajmeve të tilla e kanë cilësuar si përhapje të panikut dhe është veprim që dënohet me ligj.

“Sidomos në kohën kur i gjithë vendi përballet me gjendjen e pandemisë nga COVID 19. Ne jemi të angazhuar në maksimum që bashkërisht me prodhues dhe tregtues të grurit dhe miellit ta krijojmë SIGURINË MAKSIMALE TË FURNIZIMIT e paraqitur pas rritjes së papritur të blerjeve të miellit nga  konsumatorët. Do ta tejkalojmë shpejt, bazuar në bashkëpunimin me të gjithë prodhuesit të cilët janë duke punuar me kapacitete të plota. Si dhe ne në vazhdimësi kemi sasi të importit dhe gradualisht kërkesa në treg po shënon rënie. Shkrimi në media i publikuar në situatën në të cilën gjendemi nuk i kontribuon mobilizimit të përgjithshëm shtetëror e qytetar. Rezervat shtetërorë menaxhohen bazuar në ligjin për rezerva shtetërorë dhe vihen në qarkullim prapë bazuar në ligj duke e vlerësuar situatën”, thuhet në reagim.

Në lidhje me sasinë e rezervave të cilat janë përfolur në lajme, Ministria thotë se nuk i lejon ligji të flasin.

“Si ministri jemi të angazhuar që qytetaret mos të ndjejnë mungesën e produkteve esenciale, ku të gjitha bizneseve u jemi falënderues për ndjenjën e përgjegjësisë për të qenë korrekt me klientët e tyre konsumator. Dhe i nxisim që të jenë në lartësinë e përgjegjësisë që e kanë këto kohë. Sasitë të cilat janë përfolur në shkrim nuk na lejon ligji t’i komentojmë. Njëjtë sikurse nuk na lejon i njëjti ligj që të flasim për ndonjë parregullsi në këtë çështje”, thuhet tutje në reagimin e MTI-së.

Ata kanë bërë thirrje që të mos ngritën tema të cilat mund të nxisin panik tek qytetarët e vendin, në këtë gjendje e cila tashmë është mjaftueshëm e vështirë

“Duke qëndruar në konsistencë të punës për tejkalimit të problemit ftojmë që mos të ngritën dyshime për temat të cilat nxisin panikun tek qytetarët, të cilët po përballen dhe ashtu me plot vështirësi në familjet e tyre. Jemi këtu të hapur për këdo bazuar në ligjet në fuqi që të ofrojmë transparencë për secilin problem. Me mirësjellje ju lusim që për shkak të rrethanave aktuale të qëndrojmë në linjë bashkëpunimi me ju për misionin tonë të shenjtë ruajtjen e shëndetit të qytetarëve përball rrezikut që na ka prekur, ne dhe tërë botën”, thuhet në reagim.

Exit mobile version