Gati gjysmë milioni euro shpenzime për udhëtime zyrtare jashtë vendit vetëm gjatë 2019-s ka bërë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, që udhëhiqej nga Endrit Shala.
Në nivel të Ministrisë së Tregtisë, ata që udhëtuan zyrtarisht jashtë vendit harxhuan saktësisht 438 mijë 698 euro.
Shpenzimet për akomodim gjatë 2019 të gjithë zyrtarëve të MTI’së për udhëtime zyrtare i kushtuan buxhetit të shtetit më shumë se 136 mijë euro.
Televizioni ka kërkuar të dhëna për shpenzimet e 18 zyrtarëve të saj për udhëtime zyrtare jashtë vendit gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të MTI’së, Kreshnik Rugova, zyrtar i lartë për promovim të eksportit në Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Bizneseve në Kosovë, e njohur si KIESA, ka shpenzuar më shumë se 27 mijë euro gjatë 2019.
Për akomodim, Kreshnik Rugova ka shpenzuar më shumë se 11 mijë e 500 euro, për ushqim dhe mëditje më shumë 5 mijë 600 euro, raporton KTV.
Ndërkaq për bileta mbi 5 mijë e 700 euro, kurse në kategorinë e shpenzimeve të tjera më shumë se 4 mijë e 300 euro. Në total, Kreshnik Rugova ka shpenzuar 27 mijë e 215 euro.
Arbër Muhaxheri, drejtor për promovimin e sektorit privat në KIESA, ka shpenzuar rreth 24 mijë euro. Vetëm për akomodim ka shpenzuar 8 mijë e 800 euro, për ushqim dhe mëditje mbi 7 mijë e 300 euro.
Muhaxheri për bileta ka shpenzuar nga buxheti i shtetit më shumë se 5 mijë e 800 euro.
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Tregtisë, Burim Rreci, gjatë vitit 2019 për udhëtime zyrtare ka shpenzuar rreth 20 mijë euro.
Për akomodim, sekretari Rreci, që ishte suspenduar nga kjo pozitë e më pas ishte rikthyer, ka shpenzuar më shumë se 6 mijë e 200 euro. Për mëditje e ushqim rreth 4 mijë e 100 euro, ndërsa për bileta dhe shpenzime të tjera rreth 9 mijë euro.
Shuma totale që sekretari Rreci shpenzoi për udhëtime zyrtare jashtë vendit gjatë vitit të kaluar arrin në 19 mijë e 311.
Ndërkaq Kreshnik Thaqi, udhëheqës i sektorit për promovim të investimeve në KIESA, ka shpenzuar në total për udhëtime zyrtare 14 mijë e 829 euro.
Për 18 zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë që ka kërkuar të dhëna televizioni nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë shuma e shpenzimeve për udhëtime zyrtare gjatë 2019-s është 160 mijë e 384 euro.