Site icon PrishtinaPress

MTI-ja nga 2016 i ka paguar 25 punëtorë nga komuniteti serb pa shkuar kurrë në punë

MTI-ja ka shpenzuar hiç më pak se 122 mijë e 738 euro për pagesën e 25 punëtorëve nga komuniteti serb, e të cilët asnjë ditë të vetme nuk kanë shkuar në punë. Kjo gjë është bërë e ditur nga Zyra Kombëtare e Auditimit, teksa pagesa për këta punëtorë është bërë nga vit2016.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka paguar për katër vite më radhë, 25 punëtorë nga komuniteti serb edhe pse të njëjtit nuk kanë punuar në MTI, asnjë ditë të vetme.

Kjo është bërë e ditur në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, shkruan Gazeta Express.

Në këtë raport është theksuar se edhe pse me Rregullore për Orarin e Punës dhe Pushimet Zyrtare, çdo zyrtar publik është i obliguar që të jetë në vendin e punës dhe se vijueshmëria e tij duhet të regjistrohet, një gjë e tillë nuk ka ndodhur me këta 25 punëtorë.


E shuma që ka shpenzuar MTI-ja për pagesën e këtyre punëtorëve, sipas ZKA-së sillet rreth 123 mijë euro.

“Me vendimin nr. 06/39 të datës 22.07.2015, Qeveria e Kosovës ka aprovuar konkluzionet e dakorduara të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për realizimin e marrëveshjes së ashtuquajtur “Mbrojta Civile”. Përmes këtij vendimi, MTI ka të angazhuar 25 punonjës të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në sistemin e Republikës së Kosovës. Këta punonjës nuk kanë punuar asnjëherë për MTI që nga viti 2016 kur edhe janë nënshkruar aktemrimet a tyre. Shpenzimi në total për pagat e këtyre të punësuarve për vitin 2020 ishte 122,738€, edhe pse për të njëjtit nuk ka dëshmi të vijimësisë në punë”, thuhet në raport.

Arsyeja se pse këta punëtorë nuk janë angazhuar në punë, sipas raportit të ZKA-së, është mungesa e hapësirave të punës në komunat përkatëse për angazhimin e tyre.

“Mungesa e hapësirave të punës në komunat përkatëse ishte shkak kryesor. Për mos angazhimin e këtyre të punësuarve. Ministria kishte bërë përpjekje për adresimin e kësaj çështje gjatë vitit, duke dërguar shkresa tek ministritë përkatëse për marrje me qira ose sigurimin e hapësirave për këta të punësuar, mirëpo një gjë e tillë nuk ishte realizuar. Pagesa e pagave pa vijueshmëri në punë shkakton dëmtim të buxhetit dhe njëherit ndikon në mosarritjen e objektivave të përcaktuara me marrëveshje”, thuhet më tutje në raport.

ZKA-ja ka rekomanduar që ministria të marrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar se komuniteti serb është duke e vijuar punën.

“Ministrja duhet të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të komunitetit serb, duke bërë monitorimin e tyre të vazhdueshëm ashtu siç parashihet me aktet ligjore”, thuhet ndër të tjera në raport. /Express/

Exit mobile version