Site icon PrishtinaPress

MSH dhe Oda Ekonomike Zvicër-Kosovë, bisedojnë për ngritjen e shkathtësive profesionale të infermierëve

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë priti sot në takim një delegacion të Odës Ekonomike Zvicër-Kosovë, të kryesuar nga Stefan Sarkany, të cilët po qëndrojnë në Kosovë për të përgatitur një projekt bashkëpunimi në fushën e aftësimit profesional të infermierëve kosovarë me Shkollën e Lartë të Shëndetësisë në Gjenevë të Zvicrës.
Ministri Rrahmani falënderoi autoritetet zvicerane për përkrahjen shëndetësisë kosovare dhe gjithashtu Odën Ekonomike Zvicër-Kosovë për gatishmërinë që të fillohet me projekte konkrete të bashkëpunimit për ngritjen e shkathtësive profesionale të kuadrit infermieror të Kosovës.
Ai tha se përveç nevojave në fushën e përmirësimit të infrastrukturës shëndetësore, kuadri profesionist ka nevojë edhe për ngritjen e shkathtësive profesionale, ndërkohë që theksoi nevojën e përmirësimit të komunikimit të brendshëm, të personelit mjekësor me pacientët dhe ngritjen edhe të shkathtësive menaxheriale.
Sarkany tha se delegacioni i Odës Ekonomike Zvicër-Kosovë gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku eksperti i angazhuar Andre Lamberlin ka biseduar me përfaqësuesit e niveleve të infermierisë si dhe janë vizituar disa klinika, për t’u para nga afër nevojat rreth projektit.
Pas vizitave që sot do të bëhen edhe në Spitalin e Ferizajt dhe qendra të tjera shëndetësore, do të bëhet një vlerësim real i nevojave konkrete për të filluar projektin e bashkëpunimit, që fokus ka zhvillimin e aftësive të infermierëve kosovarë në emergjencë; zhvillimin e  aftësive profesionale në sektorin e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe të menaxhimit të procedurave administrative.

Exit mobile version