1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Mrekullia tek devetë!

Falederimet janë për Zotin, paqja dhe mëshira e Zotit, qofshin mbi profetin Muhamed a.s, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij.

Argumentet dhe mrekullitë shkencore në Kuran, janë llogjika e vetme në kohët moderne, për të bindur ateistët dhe ata që dyshojnë në profecinë e profetit Muhamed a.s. Në emisionin e kaluar, ne thamë që do të dalim nga studioja dhe do të studiojmë nga afër një krijesë të habitshme, të cilën Zoti e ka përmendur veçanërisht në Kuran, ku thotë:”Vallë, a nuk i shohin devetë, se si janë krijuar?! (Gashije 17)

Gjykatësi Shurejh, u thoshte shpesh herë të pranishmëve dhe miqve të tij:”Çohuni të dalim të studiojmë si janë krijuar devetë dhe si është ngritur qielli mbi ne!”

Doktor Sabri Demirdash ka një studim të zgjeruar mbi këtë krijesë të çuditshme. Në këtë studim, ai përmend fakte dhe imtësi mbi devetë, të cilat nuk i dinë shumë njerëz.

Doktor Sabri, çfarë do të na flasësh rreth kësaj krijese të Zotit?”

Dr. Sabri Demridash:”Ne ndodhemi para një mrekullie që ka krijuar Zoti mbi tokë dhe ajo e meriton të quhet dhe të konsiderohet një mrekulli e një lloji të veçantë. Thotë Zoti në Kuran:”Vallë, a nuk i shohin devetë, se si janë krijuar?! Dhe qëllimi është “A nuk e studiojnë njerëzit dhe a nuk thellohen në krijimin e deveve?!

Dr. Muhamed El-ivedij:” Doktor!  Si shfaqen mrekullitë e Zotit në këtë krijesë?”

Dr. Sabri Demridash:”Mrekullitë e Zotit tek kjo krijesë shfaqen në tre forma: E para është paraqitja e saj fizike, e dyta ana shpirtërore dhe e treta elementët përbërës.”

Dr. Muhamed El-ivedij:”Le të fillojmë me paraqitjen fizike të devesë.”

Dr. Sabri Demridash:”Po të shohim, deveja ka një kokë të një madhësie të konsiderueshme, qafën, trupin me gungën në kurriz dhe katër këmbët. Secila prej këtyre pjesëve, është një mrekulli më vete. Sytë p.sh, përbëhen nga tre qepalla dhe jo dy siç kemi ne. Devetë kanë një qepallë të tretë e cila është një perde e tejdukshme, të cilën e përdorin gjatë udhëtimeve në shkretëtira dhe gjatë erërave të forta. Kjo perde shërben si syze mbrojtëse për sytë e devesë, nga pluhurat dhe rëra e shkretëtirës.

Sytë e devesë janë të mëdhenj dhe të rrethuara  nga qerpikë të gjatë dhe të dendur. Deveja, gjatë erërave të shkretëtirës, herë i mbyll plotësisht sytë dhe herë të tjera i mban hapur, por përdor qepallën e tretë të tejdukshme, për të mbrojtur sytë nga rëra.

Dr. Muhamed El-ivedij:”Kjo qepallë luan rolin e xhamit të makinës, apo jo?”

Dr. Sabri Demridash:”Është pikërisht në rolin e xhamit të makinës. Duke përdorur qepallën e tejdukshme, deveja arrin të dallojë dhe të vazhdojë rrugën.

Po të shohim dy vrimat e hundës, do i gjejmë të mbushura me qime të dendura, të cilat pengojnë pluhurin dhe rërën të depërtojnë në rrugët e frymëmarrjes.

Deveja ka dy veshë, shumë të vegjël në krahasim me madhësinë e kokës së saj. Ato kanë formë vezake dhe në kohë të caktuara, deveja i ngjit ato me qafën. Edhe veshët janë të mbushur me qime të dendura, për t’i mbrojtur nga pluhuri dhe rërërat.

Qafa e devesë, e mundëson që të ushqehet me bimë të larta dhe me barëra të shkurtër. Ajo është shumë funksionale dhe e ndihmon për t’u ushqyer sa më mirë. Një e veçantë është se deveja han gjithçka. Kjo bëri që një ekspert arab të thotë:”Kjo kafshë është shumë e çuditshme. Ajo arrin ta kthejë gjembin në proteinë dhe ushqim për trupin e saj.”

Trupi i devesë është i mbuluar me lesh, i cili ndryshon nga stina në stinë. Gjatë dimrit, leshi i devesë është i dendur dhe më i gjatë dhe kjo për t’a mbrojtur atë nga të ftohtit e dimrit. Kurse verës, ky lesh bie dhe bëhet më i shkurtër dhe i rrallë, me qëllim që të sigurojë daljen e djersës dhe uljen e temperaturës së lartë. Gunga e devesë që ndodhet mbi shpinën e saj, është një lloj magazine e mbushur me dhjamëra. Prej kësaj gunge, deveja furnizohet me fuqi dhe me ujë.

Këmbët e devesë janë të gjata dhe të fuqishme. Ato janë të pajisura me thundra të cilat janë izoluese dhe nuk e përçojnë elektricitetin. Psh, nëse deveja me padronin e saj ndodhen në shkretëtirë në mes të një stuhie dhe një rrebeshi rrufesh, padroni i saj mund të vritet, kurse deveja jo. Kjo, për shkak të thundrave të saj izoluese. E tillë është dhe lëkura e devesë, e cila në njëfarë mënyrë është një izolant elektriciteti.”

Dr. Muhamed El-ivedij:”Doktor! Në disa ligjërata të tuat, ju keni pohuar se rruazat e gjakut të devesë, janë plotësisht të ndryshme nga rruazat e gjakut të krijesave të tjera. A mund të na thoni diçka më shumë rreth kësaj?”

Dr. Sabri Demridash:”Duhet ditur që deveja ka dy sisteme të qarkullimit të gjakut. Koka, qafa dhe trupi i devesë kanë një sistem të caktuar qarkullimi, kurse këmbët kanë sistem tjetër. Dy sisteme qarkullimi të gjakut, në një fizik të vetëm. Kjo më kujton Kinën dhe Hong Kongun, që janë një shtet, por me dy sisteme të ndryshme. Pyetja juaj ishte pikërisht mbi rruazat e gjatut, apo jo?”

Dr. Muhamed El-ivedij:”Pikërsht.”

Dr. Sabri Demridash:”Nëse deveja me padronin e saj do të humbisnin në shkretëtirë dhe do u mbaroheshin rezervat e ujit, cili prej të dyve do të vdiste i pari?”

Dr. Muhamed El-ivedij:”Pa dyshim që padroni i saj.”

Dr. Sabri Demridash:”Shumë bukur. Njeriut i vjen vdekja para devesë për shumë shkaqe, ku më i rëndësishmi është për shkak të rruazave të kuqe. Kur njeriun e kap etja, ai fillon të marrë ujë direkt nga gjaku i tij. Kjo shkakton mpiksje të gjakut dhe goditje të diellit dhe për pasojë njeriu vdes për tre katër ditë. Kurse deveja nuk ngordh kollaj për shkak të etjes. Ajo e magazinon ujin në indet e saj dhe jo ashtu siç mendojnë shumë njerëz në stomak. Në raste etjeje në shkretëtirë, deveja e thith dhe e përdor këtë ujë të depozituar. Kur e përdor dhe shfrytëzon ujin e rezervuar, ajo fillon të përdorë lëndët dhjamore që gjenden në gungën e saj. Vetëm kur i përdor dhe këto rezerva uji, ajo detyrohet të thithë ujin e gjendur në gjak, por në këtë kohë kanë kaluar mbi dhjetë ditë e etur.”

Dr. Muhamed El-ivedij:”Po mbi dallimet e rruazave të gjakut të devesë me krijesat e tjera, ç’mund të na thoni?”

Dr. Sabri Demridash:”Tek të gjithë krijesat, duke përfshirë dhe njeriun, rruazat e kuqe të gjakut janë të njëllojta, përveç devesë, e cila ka rruaza me formë boshti. Urtësia e kësaj qëndron në atë se deveja – në ditën e nëntë apo të dhjetë pa ujë dhe kur është pranë vdekjes – këto rruaza  mund të depërtojnë në të gjithë indet, prej ku thithin temperaturën dhe e drejtojnë atë drejt lëkurës më pas. Kjo bën që deveja të mos pësojë goditje dielli në mes të shkretëtirës.

 

 

Buzët e devesë

Buzët e devesë janë të gjata dhe të trasha gjë e cila ia mundëson të ushqehet pa probleme edhe me gjemba. Po të shohim buzën e sipërme, do të gjejmë që ajo është e ndarë në dy pjesë. Kur ushqehet me gjemba, ajo e ngre njërën pjesë, me qëllim që të mundet ta presë gjembin, pa e shpuar. E veçantë është se deveja ushqehet me gjithçka që gjen, madje edhe gjëra që ne mund t’i konsiderojmë plehra. Kjo, pasi shkretëtira nuk të jep mundësi të tjera për t’u ushqyer.

E habishme është se si i kthen gjembat, në proteina, të cilat në vetvete janë mishi i saj që hahet dhe qumështi që pihet. Përgjigja e kësaj pyetje, i ka vënë në siklet dhe vështirësi dhe shkencëtarët.

Ajo që e ndihmon për tretjen dhe përpunimin e çfarëdolloj ushqimi, është dhe aparati tretës i devesë. Ajo ka tre stomaqe dhe të tre funksionojnë dhe tresin ushqimin si jo më mirë. .

Armët mbrojtëse të devesë

Dr. Muhamed El-ivedij:”Si përballet deveja me rreziqet e ndryshme në shkretëtirë?”

Dr. Sabri Demridash:”Po të shohim tek kafshët më fizik të vogël, gjejmë se ata me të ndjerë rrezikun fshihen dhe vrapojnë në përpjekje për ta shmangur atë. Kurse deveja, duke qenë se ka fizik të madh, Zoti i Madhëruar e ka pajisur me dy armë të efektshme. Kur deveja është e sapolindur, ajo e fiton mundësinë për të qëndruar në këmbë dhe për të ecur, pas dy orësh. E dyta është se deveja arrin ta hedhë këmbën e parë të djathtë, njëkohësisht me të djathtën e pasme. Po kështu, të majtën e përparme me të majtën e pasme. Një mënyrë të tillë të ecurit, e gjejmë vetëm tek deveja dhe tek gjirafa.

Mbresëlënëse tek deveja është dhe proçesi i urinimit. Të gjithë kafshët ripërtypëse, nëse nuk urinojnë, këto ujëra shkaktojnë helmimin e kafshës dhe rrjedhimisht ngordhin. Kjo ndodh tek të gjithë kafshët ripërtypëse, përveç devesë. Ajo e merr urinën e saj dhe e dërgon përsëri në mëlçi e cila nga ana e vet, e filtron dhe merr lëndët azotike që gjenden në urinën e saj dhe i shndërron në ushqim. Lëndët azotike që gjenden në urinën e devesë, janë rezultat i tretjes së proteinave dhe lëndëve ushqyese. Këtë lëndë, deveja e merr dhe e riciklon duke e shndërruar përsëri në proteinë dhe lëndë ushqyese. Përveç proteinës që përfitoi, ajo përfiton dhe diçka tjetër jetësore nga ky proçes, ujin. Kështu, ajo vret dy zogj me një gur. Një proçes të tillë kaq të ndërlikuar, nuk e gjejmë tek asnjë kafshë tjetër përveç devesë.”

Dr. Muhamed El-ivedij:”Duke parë se koha nuk është e mjaftueshme, duam të dëgjojmë diçka mbi anën shpirtërore dhe emocionale të devesë. Në letërsinë arabe gjejmë shumë elementë që flasin mbi anën shpirtërore dhe emocionale të devesë. Prandaj duam të na flasësh pak mbi studime të kryera mbi këtë fushë!”

Dr. Sabri Demridash:”Kur flasim mbi anën shpirtërore të devesë, është diçka e bukur. Ajo ka ndjenja, është besnike, dëshpërohet dhe qan. Devetë kanë karakteristike qetësinë, bindjen dhe nënshtrimin ndaj njeriut. Devenë mund ta tërheqë dhe ta çojë nga të dojë edhe një djalë i vogël. Diçka pozitive e devesë është se ajo e dallon zërin e padronit të saj. Ajo e dallon padronin e saj nëpërmjet erës dhe zërit, madje dallon dhe tendat e familjes ku banon. Gjithashtu, ajo i gjen kollaj burimet e ujit dhe orientohet dhe rigjen rrugën nëse humbet në shkretëtirë.”

Dr. Muhamed El-ivedij:”Tregon imam Razij në tefsirin e tij:”Një herë humbëm rrugën në shkretëtirë. Për ta rigjetur përsëri, ne e lamë devenë të lirë dhe vazhduam ta ndjekim, derisa na orientoi përsëri drejt rrugës  së duhur.”

Dr. Sabri Demridash:”Deveja ka dhe një karakteristikë tjetër pozitive, ajo e do dhe lidhet shumë padronin e saj. Nëse e humbet atë dhe nuk e sheh për një kohë të gjatë, mërzitet, madje mund dhe të sëmuret. Mbi këtë fakt, historitë dhe rrëfenjat janë të shumta. Shumë deve, pasi janë shitur kanë arritur ta dallojnë ish-padronin e tyre pas një kohe të gjatë nëpërmjet erës dhe zërit. Deveja mërzitet, madje mund të qajë dhe t’i rrjedhin lotë. Një e metë e devesë është se është hakmarrëse dhe nuk e harron keqtrajtimin. Nëse ajo zemërohet dhe inatoset, e ruan të fshehtë, derisa të vijë momenti i përshtatshëm për t’u hakmarrë.”

Dr. Muhamed El-ivedij:”Dhe hakmarrja e saj është me pasoja të rënda besoj!”

Dr. Sabri Demridash:”Nëse deveja ngacmohet, inatoset dhe e humbet durimin, ajo shndërrohet në një egërsirë shkatërruese. Siç thamë më sipër, në përgjithësi ajo është e qetë dhe e bindur, por nëse provokohet dhe inatoset, ajo nuk mbahet më. Dhe më e rëndësishmja është se nuk e harron të keqen.”

Dr. Muhamed El-ivedij:”Ç’mund të na thuash mbi vlerat ushqimore të mishit të devesë dhe të qumështit të saj?”

Dr. Sabri Demridash:”Qumështi i devesë është shumë i pasur me vitamina, sidomos vitaminën C. Është me vend që të pyesim:”Përse në veçanti vitaminën C?” Padyshim këtu ka diçka të rëndësishme. Deveja jeton në shkretëtirë, kurse vitamina C, kryesisht gjendet tek frutat e freskëta, që nuk gjenden në shkretëtirë. Duke qenë se banorët e shkretëtirës janë të privuar nga këto fruta dhe rrjedhimisht nga vitamina C, ata e kompensojnë nevojën për vitaminën C me anë të qumështit të devesë, i cili është i pasur me këtë vitaminë.

Në shekuj, deveja ka qenë kafshë me të cilën krenoheshin dhe mburreshin arabët. Mbi kurrizin e devesë, arabët vendosnin një sënduk (heudexh) të mbuluar me pëlhurë, ku qëndronin kryesisht gratë.

Një pyetje që lind është:”A është e mundur që këtë sënduk ta vendosim dhe mbi kurrizin e mushkës apo të kalit?” Diçka e tillë është e pamundur. Deveja është e lidhur ngushtë me jetën e shkretëtirës dhe atë nomade, ashtu siç është i lidhur shpirti me trupin.

Po ta studiojmë devenë nga ana gjuhësore, do të shohim që arabët e quajnë atë “xhemel”, anglezët “camel”, koptët e Egjyptit “Kamul” dhe shihet qartë që janë fjalë të përafërta me njëra-tjetrën.”

Dr. Muhamed El-ivedij:”Doktor Sabri! Ashtu siç u kënaqa dhe përfitova unë personalisht, besoj dhe jam i bindur që kanë përfituar edhe teleshikuesit tanë.

Vëllezër dhe motra! Libri i Zotit, Kurani famëlartë, duhet lexuar me meditim dhe jo sa për të kaluar radhën. Siç e pamë dhe në këtë emision, vetë shkenca fton njerëzit për meditim dhe në besim të Zotit, Krijuesit të gjithësisë.

Së fundmi, u përshëndesim me përshëndetjen tonë islame:”Paqja qoftë me ju!”./ardhmeriaonline.com

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img