7.3 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Buy now

spot_img

MPJD e Kosovës i dërgon letër bashkësisë ndërkombëtare – kërkon të marrin masa ndaj Serbisë

Situata në veri të Kosovës, e cila dita ditës po tensionohet edhe më shumë, ka bërë që Kosova të kërkojë ndihmë tek partnerët ndërkombëtarë.

Përmes një dokumenti trefaqësh, të cilin e ka siguruar RTV Dukagjini, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Diasporës (MPJD), u është drejtuar vendeve të Bashkimit Evropian (BE), duke kërkuar nga ta të marrin masa ndaj Serbisë, e cila vazhdimisht është duke tentuar ta destabilizojë veriun e Kosovës, së fundmi me vendosjen e barrikadave.

Në letrën drejtuar BE-së, MPJD, ofron fakte kronologjike të asaj që ka ndodhur në veri të Kosovës.

“Në skenarin më të mirë, Serbia po përpiqet qëllimisht të destabilizojë Kosovën për të parandaluar përparimin e dialogut, veçanërisht në kontekstin e planit të sapo propozuar të BE-së (të mbështetur nga Franca dhe Gjermania) për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në letrën dërguar BE-së.

Në këtë dokument po ashtu thuhet se “skenari më i keq” instrumentalizimi i grupeve kriminale nga Serbia për ta përsëritur luftën e vitit 1999.

“Në skenarin më të keq, përshkallëzimi dhe instrumentalizimi i qëllimshëm i grupeve kriminale që të kujtojnë modus operandi të Serbisë për fillimin e luftërave në vitet 1990, janë me të vërtetë një ogur i keq dhe një materializim i asaj që regjimi luftarak në Beograd ka trumbetuar për vite me radhë”, thuhet në dokument.

Tutje në dokumentin e MPJD-së, dërguar BE-së, jepen detajet kronologjike nga data 10 dhjetor kur grupet kriminale serbe kishin vendosur barrikada në rrugët e komunave veriore, e deri te sulmet e fundit ndaj gazetarëve të mediumeve kosovare të cilët po raportonin nga veriu.

“Më 10 dhjetor, Serbia udhëzon grupet kriminale në veri të Kosovës që të vendosin barrikada, një masë tashmë e zakonshme sa herë që Beogradi dëshiron të rrisë tensionet në Kosovë. Ajo që është ndryshe këtë herë është se presidenti serb Vuçiq nuk po shtiret më se kush qëndron pas tyre – ai jo vetëm që pranon hapur se ka kontrollin e barrikadave, por tani po i legjitimon dhe i përdor ato si një mjet politik për destabilizimin”

“Në të njëjtën ditë, pas sulmeve ndaj qytetarëve, policëve dhe gazetarëve, një patrullë zbuluese e misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) sulmohet nga një granatë trullosëse. Më 11 dhjetor, paraqitet një kërkesë zyrtare3 për ri-vendosjen e trupave serbe në Kosovë, që të kujton në mënyrë të frikshme taktikat e Rusisë për pushtimin e një shteti sovran nën pretendimin e mbrojtjes së “komunitetit të tyre të rrezikuar”. Autoritetet e Republikës së Kosovës qëllimisht nuk kanë lëvizur ende për të çmontuar barrikadat për të mos ngritur tensione dhe kanë kërkuar mbështetje nga misioni i KFOR-it”, thuhet në letrën e MPJD-së.

Në dokument po ashtu, përmenden deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili kishte thënë se “Millosheviqi ishte një udhëheqës i madh”.

“Më 13 dhjetor, në Beograd mbahet një tubim4 për të kërkuar ndërhyrjen e qeverisë serbe në Kosovë, me shumë serbë – përkrahës të Vuçiqit – që valëviten flamujt rusë dhe brohorasin thirrje urrejtjeje dhe raciste për dhunë. Udhëheqësit politikë serbë kanë ushqyer ndjenjën e intolerancës dhe urrejtjes ndaj shqiptarëve të Kosovës për vite me radhë – nga ministri i tyre i jashtëm tani Daçiq, i cili kërcënon publikisht qytetarët serbë që zbulojnë informacione për varrezat masive të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, deri te vetë Vuçiq që përshëndeti Millosheviqin si një “udhëheqës i madh që kishte qëllimet më të mira, por rezultatet tona ishin të këqija”6. Kjo nuk është aspak befasuese, duke qenë se është i njëjti Vuçiq, i cili, ndërsa gjenocidi në Srebrenicë po kryhej nga forcat serbe, tha: “Për çdo serb të vrarë, ne do të vrasim 100 myslimanë”, thuhet në dokument.

Në dokumentin e MPJD-së, përmendet edhe ndalimi i politikanes serbe, Rada Trajkoviq, e cila ishte ndalur në kufirin Kosovë-Serbi, për më shumë se 20 orë, pa akses në ujë, ushqim dhe barna esenciale për të.

Po ashtu, përmendet edhe protesta e grupeve kriminale e mbajtur me 18 dhjetor, të cilët kishin tentuar ta sulmojnë kufirin Serbi-Kosovë.

“Më 18 dhjetor, grupet kriminale nga Serbia protestojnë dhe përpiqen të sulmojnë kufirin Serbi-Kosovë, me individë të maskuar të veshur me shenjat e Wagner (paraushtarak rus)11, të udhëhequr nga Damjan Knezevic, lideri i ri i dukshëm i Wagner në Serbi12. Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO, i vendosur në kufirin e Kosovës, konfirmoi praninë e grupeve kriminale në kufi”, thuhet në dokument.

Ndër tjerash, dokumenti flet edhe për të shtënat me armë zjarri ndaj forcave letoneze të KFOR-it të cilët operojnë në Kosovë.

“Akoma më keq, menjëherë pas sulmit, mediat serbe të kontrolluara nga Vuçiq filluan të raportojnë se ishte Policia e Kosovës ajo që hapi zjarr ndaj qytetarëve serbë, duke u përpjekur të ndezë më tej tensionet dhe të nxisë konfrontime të armatosura në veri. Vuçiq takohet menjëherë me forcat e tij të armatosura dhe dërgon Shefin e Shtabit të Ushtrisë në kufirin me Kosovën”, thuhet në dokument.

Po ashtu, theksohen edhe sulmet ndaj gazetarëve, të cilët së fundmi ishin goditur me gurë të mëdhenj kështu duke u lënduar një gazetare dhe një shofer.

Në letër përmendet edhe raporti i ngushtë në mes të Rusisë dhe Serbisë, teksa u bëhet thirrje BE-së t’i dënojnë përpjekjet e Serbisë për ta destabilizuar jo vetëm Kosovën por edhe rajonit.

MPJD ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare ta nxisin Serbinë, që të rikthehet në dialog “për normalizimin e marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër të tij dhe t’i zgjidhin të gjitha çështjet në mënyrë paqësore”. /Dukagjini/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img