Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) tha të martën se asnjë shtetas kosovar nuk ka jetuar dhe nuk ndodhet në Rripin e Gazës tani, enklavën palestineze e cila është duke u përballur me sulme të vazhdueshme izraelite tash e shumë javë.
Izraeli i nisi bombardimet dhe pastaj një ofensivë tokësore në Gazë më 7 tetor, si përgjigje ndaj sulmeve të Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – në qytetet e Izraelit jugor, ku u vranë mbi 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen rreth 240 të tjerë.
Ministria e Jashtme tha për Radion Evropa e Lirë se në bazë të informatave të konfirmuara të Ambasadës së Kosovës në Jerusalem “asnjë shtetas i Kosovës nuk ka jetuar dhe nuk ndodhet në këto momente në Gaza”.
Evakuimi i shtetasve të huaj dhe palestinezëve me shtetësi të dyfishtë, përfshitë të plagosurve rëndë nga Gaza përmes pikëkalimit kufitar me Egjiptin, Rafah, nisi më 1 nëntor.
Deri më tani janë evakuuar mijëra njerëz, përfshirë 11 shtetas të Shqipërisë.
Ndërkohë, MPJD njoftoi se deri më tani 10 kosovarë janë evakuuar nga Izraeli, të gjithë në ditët e para të konfliktit.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael u ka ofruar të gjithëve mundësitë dhe lehtësirat e nevojshme për tu larguar nga vendi në ditët e para të konfliktit”, tha MPJD.
Por, ajo shtoi se tani më fluturimet e organizuara janë ndërprerë dhe “eventualisht secili duhet të gjejë mundësitë individualisht për t’u larguar” nga Izraeli.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael vazhdon të mbanë kontakte të rregullta me të gjithë shtetasit e mbetur në territor dhe konfirmohet se gjendja e tyre në përgjithësi është e mirë, sipas MPJD.