Nga e marta qytetarët mund të pajisen me leje të përkohshme për targa në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve.
Kështu thuhet një njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2016, MPB njofton qytetarët se përveç mundësisë së pajisjes së tyre me targa të përkohshme të Republikës së Kosovës në të gjitha pikat kufitare, nga e marta në mesdite mund të pajisjen edhe në të gjitha qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në Republikën e Kosovës.
“Përderisa qytetarët të cilët vazhdojnë të qarkullojnë në dalje nga Republika e Kosovës në drejtim të Serbisë mund të shfrytëzojnë targat e Serbisë, por në hyrje dhe qarkullim brenda Republikës së Kosovës duhet që të pajisen me targa të përkohshme të Republikës së Kosovës, sipas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova kishte paralajmëruar e vendosjen e masës së reciprocitetit për targat.
Kjo ishte bërë e ditur nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili kishte thënë se marrëveshja për targat skadon më 15 shtator dhe se Kosova nuk do ta respektojë atë njëanshëm.
Kështu dhe ndodhi!
Pas pesë ditëve të skadimit të marrëveshjes, të hënën më 20 shtator – forca të mëdha policore u vendosën në pikën kufitare Jarinje -Bërnjak për të zbatuar reciprocitetin. Dhe sipas kësaj veturat me targa të Serbisë do të mund të qarkullojnë në Kosovë vetëm nëse i heqin ato dhe pajisen me targa të përkohshme të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.
E gjithë kjo krijoi pakënaqësi të serbëve, të cilët protestuan gjatë gjithë ditës së hënë duke kundërshtuar këtë vendim.